Për gjashtë vjet numri i të punësuarve në Kosovë është rritur vetëm për 42 mijë e 287 persona.
Sipas hulumtimit “Vlerësimi i nevojave të tregut të punës”, që të premten e ka prezantuar Aleanca Kosovare e Bizneseve, në vitin 2012 numri i përgjithshëm i të punësuarve ishte 302 mijë e 884 persona, ndërkohë që ky numër në vitin 2018 ka arritur në 345 mijë e 131 persona, shkruan sot Koha Ditore. Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2018 janë regjistruar 12 mijë e 964 më pak të punësuar sesa në vitin 2017. Kjo thuhet se përbën një rënie prej 3.4 për qind të numrit të të punësuarve.
Përveç numrit të të punësuarve, në pjesën e parë të këtij hulumtimi janë prezantuar të dhëna edhe për numrin e bizneseve të huaja dhe vendore, pritshmërinë e tyre lidhur me punësimin dhe buxhetin, remitencat, si dhe investimet e huaja direkte. Për të arritur deri tek rezultatet e hulumtimit që është financuar nga UNDP-ja, janë intervistuar 1.000 biznese në tërë territorin e Kosovës.
Shumica e bizneseve ose 46 për qind e tyre janë shprehur optimistë që në 12 muajt e ardhshëm punësimi do të rritet. 41 për qind e tyre kanë thënë se punësimi do të mbetet i njëjtë, ndërkohë që 12 për qind janë deklaruar që punësimi do të zvogëlohet.
71 për qind e bizneseve kanë thënë se në vitin 2018 kanë buxhet të njëjtë më atë të vitit paraprak, 25.5 për qind kanë thënë se buxheti u është rritur, ndërkohë që 3.2 për qind kanë deklaruar se buxheti u është zvogëluar.