Pas protestës së qytetarëve kundër rritjes së tarifave për regjistrimin e automjeteve për 26 për qind, ka reaguar edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Ai i ka kërkuar sqarime shtesë Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmetit në lidhje me këtë vendim nga ana e tyre.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka treguar se i ka kërkuar Mehmetit informata të detajuara mbi arsyeshmërinë dhe faktorët në bazë të të cilëve është marrë një vendim i tillë.
“Pas vendimit për rritjen e tarifave për regjistrimin e automjeteve për 26% dhe pas reagimeve të shumta të qytetarëve, sot i jam drejtuar Guvernatorit të Bankës Qendore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, me kërkesën për një informatë të detajuar mbi arsyeshmërinë dhe faktorët në bazë të të cilave është marrë ky vendim”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, sot gjatë ditës kanë protestuar qindra qytetarë para objektit të BQK-së, duke kundërshtuar kështu rritjen e çmimit të sigurimit për vetura.
Ata kanë paralajmëruar protesta edhe gjatë ditëve të ardhshme nëse kërkesat e tyre nuk realizohen dhe të kthehen çmimet e mëparshme.
Gjithashtu, protesta do të ketë edhe nesër nga grupi ‘Speedomaniaks’ në ora 16:00 me po të njëjtën arsye, kundërshtimin e ngritjes së këtyre tarifave nga ana e BQK-së. /Buletini Ekonomik/