Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në një konferencë për media ka prezantuar hulumtimet rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Sipas këtij hulumtimi, 41 për qind e ndërmarrjeve të Kosovës konsiderojnë se në rast të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi do të rriten eksportet. “41 për qind konsiderojnë se po ndërsa, 33 për qind ndoshta, ndërsa vetëm 16 për qind nuk konsiderojnë se do të ketë ndikim nga kjo marrëveshje”.
Bizneset e Kosovës e mirëpresin arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë duke besuar që kjo do ndikojnë në rritjen e investimeve direkte të huaja në Kosovë, rritjen e eksportit, si dhe shtimin e fokusit të politikës së Kosovës te bizneset.
Kështu thotë hulumtimi i Odës Ekonomike të Kosovës me temën “Prezantimi i hulumtimeve rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se 41 për qind e ndërmarrësve të Kosovës, konsiderojnë se arritje e një marrëveshje me Serbinë do rriste eksportin e Kosovës.
Sipas tij, mbi 63 për qind vlerësojnë se arritja e kësaj marrëveshje do ndikonte edhe në rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë.
“Në përgjithësi, 41 për qind e ndërmarrjeve të Kosovës konsiderojnë se në rastin e arritjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë diku 41.6 për qind do rriten eksportet, ndërsa 33.33 për qind përgjigjen me ndoshta. Gjithashtu, 66.67 për qind e bizneseve konsiderojnë se ulen kostot e transportit që janë të njohura apo pengesat që i ka bërë Serbia për transitin. 64 për qind mendojnë se do rriten investimet e huaja në këtë rast të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, 90.91 për qind vlerësojnë se do kemi një fokus më të madh të qeverisë në zhvillim ekonomik”, theksoi Rukiqi.
Në bazë të këtij hulumtimi, ku të synuara kanë qenë ndërmarrjet vendore, del se 75 për qind e bizneseve mendojnë se Serbia ka pasur ndikim negativ në zhvillimin bizneseve vendore.
Dhe si barriera kryesore, ata i kanë renditur humbjen e tregjeve, konkurrenca e padrejtë, dëmtimi i imazhit të Kosovës.
“Sa ka ndikuar Serbia negativisht në zhvillimin e bizneseve kosovare: 75 për qind e bizneseve konsiderojnë se ka pasur ndikim negativ është një shumicë dërrmuese që besojnë që në komplet këtë periudhën kur Kosova ka pasur mundësi për një zhvillim shumë më të shpejt ekonomik Serbia ka pasur ndikim negativ dhe arsyet kryesore që i theksojnë bizneset janë kufizimi i eksportit si rezultat i barrierave, humbja e tregjeve, konkurrenca e padrejtë, dëmtimi i imazhit të prodhuesit kosovar nga vetë dëmtimi i imazhit të vendit. Mbi 66.77 për qind konsiderojnë se ka ndikuar në kufizim të eksportit, mbi 66 për qind konsiderojnë se ka ndikuar në konkurrencë të padrejtë, 33 për qind konsiderojnë që ka ndikuar në humbje të tregjeve, 44 për qind konsiderojnë se ka ndikuar në dëmtim të imazhit”, u shpreh ai.
Rukiqi shtoi se në bazë të këtij hulumtimi del se mbi 33 për qind e bizneseve konsiderojnë se mungesa e marrëveshjes me Serbinë ka ndikuar në nivelin e ulët të eksportit të mallrave kosovare.
Lidhur me gjendjen e të bërit biznes në Kosovë gjatë muajit korrik, gusht, shtator, sipas bizneseve gjendja është e kënaqshme dhe ka rritje të indikatorit të besueshmërisë, derisa shkalla e papunësisë mbetet stabile.
Si barriera me të cilat bizneset janë ballafaquar gjatë këtyre tre muajve, janë konsumatorët nuk paguajnë me kohë, konkurrenca jo e ndershme, mungesa e mjeteve financiare, etj. /Monitor.al/