Shuma të konsiderueshme të mjeteve të buxhetit të Kosovës dyshohet se keqpërdoren përmes aneks kontratave të ndryshme, të cilat janë duke u rritur nga dita në ditë.
Në bazë të auditimit që ka kryer Zyra Kombëtare e Audutimit (ZKA) ka gjetur se në shumë raste aneks kontrata nuk është dashur të bëhen fare. Njohës të sistemit të prokurimit në vendin tonë thotë se përmes aneks kontratave Institucionet Kontraktuese shpërblejnë Operator të caktuar Ekonomik, të cilët në procesin e prokurimit konkurrojnë me çmimeve të lira për ta marrë punën dhe më pastaj atyre iu bëhen aneks kontrata për të krijuar profitin e nevojshëm për kompaninë.
Në raportin e auditorit të cilin e ka siguruar “Front Online” thuhet se arsyeja pse aneks kontratat janë paraparë me Ligjin e Prokurimit Publik është sepse gjatë ndërtimit Operatorët Ekonomik (OE) mund të hasin në vështirësi që nuk do të mund të parashiheshin në kontratën bazë.
Por, nga 11 projektet e audituara, gjashtë prej tyre kishin aneks kontrata për punë e që sipas auditorit do të mund të përfshiheshin në projektin fillestar, raporton “Front Online”.
Për ndërtimin e shkollës së Magurës u krijuan shpenzime shtesë 131 mijë euro
Sipas auditorit rast konkret ishte “Ndërtimi i shkollës fillore Haradin Bajrami në Magurë” –Lipjan, projekti i së cilës ishte paraparë për terren të rrafshët dhe tokë të përshtatshme për ndërtim, veprim ky që vërtetohet nga elaborati gjeomekanik.
“Ndërtimi i shkollës komplet ishte paraparë me vetëm një kontratë, mirëpo projekti kishte dy aneks kontrata. Njërën për sallën e sportit dhe tjetrën për kaldajë. Që të dy anekset do të mund të përfshiheshin në kontratën bazë. Kjo situatë ishte krijuar, sepse projekti i trashëguar ishte projekt tipik dhe ridizajnimi i këtij projekti nuk ishte bërë para nënshkrimit të kontratës. Elaborati gjeomekanik do duhej të bëhej para nënshkrimit të kontratës, mirëpo ishte bërë pas nënshkrimit të kontratës dhe për më tepër është bërë dy herë. MAP nuk ka marrë masa për mos nënshkrimin e kontratës edhe pse kishte analizuar që një projekt i tillë tipik nuk mund të realizohej. Kjo ka shkaktuar shpenzime shtesë për të përfunduar projektin. Vlera totale e anekseve ishte 131,522 euro” thuhet në raportin e auditorit.
Për ndërtimin e objektit të Universitetit të Mitrovicës vlera totalit e aneksit është rreth 340 mijë euro
Po ashtu, sipas auditorit situatë e ngjashme ishte edhe me “Ndërtimi i objektit të Universitetit të Mitrovicës faza III”, ku aneks kontrata ishte për punët e oborrit, një rrugë dhe për sasi shtesë të betonit dhe armaturës. Vlera totale e aneksit ishte 339,043 euro.
Gjithashtu, rast tjetër, ku punët do të mund të përfshiheshin në kontratën bazë ishte ”Renovimi i stadiumit të futbollit në Malishevë”(memorandumi mes të MKRS dhe komunës). Edhe pse punët siç janë: bari sintetik, bari dhe shtigjet për atletë dhe hyrja për shikuesit janë paraparë në kontratën bazë, të njëjtat janë kontraktuar edhe me aneks kontratë por me sasi shtesë. Kjo pasi që pas fillimit të punëve nga OE, organizata buxhetore ka vendosur që të zgjerojë stadiumin. Vendimi kishte pasuar me punë dhe buxhet shtesë. Shuma e aneks kontratës ishte 25,215 euro. E njëjta situatë ishte edhe me kontratën: “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në Obiliq”, ku aneks kontrata ishte për punë të dheut, zhavorrit, betonit, dhe armaturës të cilat ishin në kontratën bazë. Shuma e aneks kontratës ishte 72,069 euro, raporton “Front Online”.
Në ndërtimin e konviktit rreth 900 mijë euro për punë shtesë
Pothuajse, situatë e ngjashme ishte edhe me projektet e MAShT. Projekti, “Ndërtimi i shkollës fillore në Ismet Raci” – Klinë kishte aneks kontratë ku punët e kryera shtesë nuk ishin të specifikuara dhe ishte e pa mundur të dihet se çfarë punësh shtesë janë kryer.
Një situatë e tillë ishte krijuar si pasojë që zyrtarët kishin neglizhuar rëndësinë e informacioneve që duhej të prezantoheshin në aneks kontratë. Vlera e këtyre punëve ishte 78,269 euro. Ndërsa, në rastin e kontratës “Ndërtimi i Konviktit numër 8”, punët shtesë ishin për një gabim në specifikacion teknik në sasitë e armaturës dhe betonit të varfëruar, ku në vend të 55,400 njësive janë shkruar 5,540 njësi. Vlera e punëve shtesë ishte 99,379 euro. Kontraktimi punëve të cilat do të mund të planifikoheshin dhe përfshiheshin në kontratat bazë, ka ndikuar që buxheti i alokuar për projekte tjera të shpenzohen në këto aneks kontrata, rrjedhimisht mos të realizohen aq projekte sa janë planifikuar fillimisht. Megjithatë, vlen të theksohet se të gjitha aneks kontratat e lartë përmendura ishin brenda limitit të lejuar prej 10%.