Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk po zbatohen. Kjo për shkak të mosvullnetit politik pasi sipas tij po ndikohen prej grupeve të interesit.
Rukiqi në një prononcim për Ekonomia Online tha se barrierat së fundi janë shfaqur edhe në sektorin e plastikës.
“Ne ende ballafaqohemi me shumë probleme në bashkëpunimin biznesorë me Shqipërinë me një pjesë që lidhen me barrierat jo tarifore. Unë mundem me thënë që në baza javore kemi ankesa të kompanive tona për ndonjë barrierë të caktuar, kanë qenë ato të zakonshme tek birrat, tek mielli, tek patatet, por të ngjashme kanë filluar edhe tek sektori i plastikës së fundi, por edhe enë sektorët e tjerë. Unë e shoh këtë si një mungesë të vullnetit politik që shpeshherë ndikohet prej grupeve të interesit si shkaktarë kryesorë të mosimplementimit të marrëveshjeve dhe të një qëndrimi të përbashkët që shfaqet në publik, por që pastaj nuk zbatohet në praktikë për eliminim të çdo barriere të mundshme në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë”.
Rukiqi tha se nevojitet një marrëveshje që të eliminohen barrierat jo tarifore.
“Thjesht një marrëveshje që të eliminohen këto barrierat jo tarifore, është prek pjesa e certifikatave një pjesë e disa dokumenteve por duhet të ulemi t’i identifikojmë dhe të merremi vesh në një afat të caktuar kohorë që ato të mos ekzistojnë, diçka e tillë po tentohet me këtë bashkëpunimin rajonal që po quhet “Mini-Shengen” mirëpo së pari ne në mes vete duhet t’i trajtojmë këto”, tha ai për EO.
E, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se marrëveshjet ekonomike të nënshkruara nga dy qeveritë ajo e Kosovës dhe Shqipërisë në mbledhjet e përbashkëta, por edhe të tjera nuk po implementohen dhe këtu, sipas tij, po ndikojnë ndasitë politike në mes të dy vendeve.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online tha se mosimplementimi i këtyre marrëveshjeve po dëmton ekonominë vendore prodhuese dhe eksportuese.
“Ndasitë politike në Shqipëri dhe Kosovë po ndikojnë për implementim të marrëveshjeve që po nënshkruhen dhe kjo po e dëmton ekonominë vendore atë prodhuese dhe eksportuese në të dyja anët, por përkundrazi këtyre kemi ende shkëmbime tregtare me Shqipërinë karshi vendeve të CEFTA-s më së shumti”.
Shahini thotë se iniciativat për marrëveshje kanë filluar qysh moti, por thotë se qeveritë nënshkruajnë marrëveshje dhe nuk i implementojë ato.
“Iniciativat e bashkëpunimit më të hovshëm ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kanë filluar edhe më herët, por qeveritë ne vend sikur nisin diçka dhe nuk e qojnë deri në fund asnjë marrëveshje. Duke u nisur nga kjo ne mendojmë që Kosova dhe Shqipëria të cilat kanë me dhjetëra marrëveshje duhet të i implementojnë por pavarësisht marrëveshjeve popujt e dy vendeve po i shkatërrojnë të gjitha pengesat që po i qesin shpesh qeveritë ndaj njëra tjetrës pengesat që po i bëjnë dhe kjo tregon se populli po ec shumë më shpejt se marrëveshjet e Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi dhjetëra prodhues vendorë të cilët kanë dërguar dërgesa me prodhime vendi dhe kjo është përtej mundësive dhe përtej kapaciteteve që vet kosovarët”, tha Shahini për EO.
Shahini thotë se Kosova dhe Shqipëria duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Austrisë që të mos ketë fare shkëmbime tregtare pavarësisht se a ka marrëveshje apo nuk ka marrëveshje tregtare.
“Së pari të implementohen të gjitha ato marrëveshje së dyti të hiqen të gjitha dilemat dhe pengesat në mes të shkëmbimeve tregtare në mes të dy shteteve pavarësisht a ka marrëveshje apo nuk ka marrëveshje, duhet ta kuptojmë që Kosova dhe Shqipëria duhet të funksionojnë sikur Austria dhe Gjermania që janë dy shtete e një popull dhe nuk kanë asnjë shkëmbim tregtar qoftë të kapitalit apo qoftë të mallrave, të njerëzve apo ndonjë barriere edhe më të vogla prandaj modaliteti i këtyre shteteve Gjermani dhe Austri në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe të funksionon si një komb në dy shtete”, tha ai për EO.
Kosova dhe Shqipëria në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ndër vite kanë nënshkruar marrëveshje të cilat kishin për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.
Këto dy shtete kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.