Shkalla e inflacionit, ndryshimi në paga dhe rritja e numrit të veturave nga viti 2001, janë disa nga arsyet që ka paraqitur Banka Qendrore e Kosovës për vendimin e fundit, që ka të bëjë me rritjen e tarifave për 26 për qind për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë.
Madje, sipas udhëheqësve të Bankës Qendrore të Kosovës, është thënë se ky vendim është marrë për të “mbrojtur mbajtësit e polisave” dhe siç thuhet, “mbrojtjen e klientëve”.
Vendimi për rritjen e çmimeve, përkatësisht tarifave ka hyrë në fuqi më 15 nëntor të këtij, sipas të cilit, çmimet për tarifat e automjeteve rriten sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta deri te më e larta.
Si shembull, për automjetet prej 0 deri në 750 centimetër kubik që aktualisht paguhet 59 euro, çmimi do të rritet në 74.71 euro. Ndërkaq, tarifa më e lartë, që vlen për automjetet mbi 2701 centimetër kubik, e cila aktualisht është 247.80 euro, me çmimin e ri do të paguhet 313.78 euro.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001, madje rishikimi i tarifave në tregun e sigurimeve, sipas tij, është rekomanduar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Nga viti 2001 e deri më tani kanë ndodhur shumë zhvillime dinamike, të cilat kanë pasur ndikim jo vetëm në sektorin e sigurimeve, por në përgjithësi në ekonominë e Kosovës”.
“Por, ne kemi marrë parasysh disa prej faktorëve: Faktori i parë është rritja e vlerës së pagesës së dëmeve, posaçërisht për automjetet e kategorisë së parë, pastaj rritja e shumës së detyrueshme minimale të sigurimeve për kontraktimin e sigurimit të auto-përgjegjësisë, në bazë të Ligjit për sigurimin e detyrueshëm të auto-përgjegjësisë, që është rritur nga 300 mijë në një milion euro”, theksoi Mehmeti.
Në një konferencë për media për këtë çështje, guvernatori Mehmeti ka treguar se në vitin 2001 kur është përcaktuar çmimi i primeve nuk ka qenë e obliguar të paguhen detyrimet nga aksidentet që ndodhin në Shqipëri, për automjetet e siguruara në Kosovë. Vetëm nga aksidentet që kanë ndodhur në Shqipëri, sipas tij, industria e sigurimeve ka paguar 420 mijë euro dëme.
Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila përfaqëson kompanitë e sigurimeve në Kosovë, kishte kërkuar që tarifat për sigurim të detyrueshëm të automjeteve të jenë jo 26, por 36 për qind më të shtrenjta.
Në një komunikatë për media të kësaj shoqate thuhet se “sektori i sigurimeve në Kosovë, vazhdon të punojë me bilanc vjetor negativ për shkak të shumës së madhe të mjeteve që kompanitë e sigurimeve për çdo vit detyrohen të paguajnë në emër të dëmeve të mëdha që shkaktohen në vend nga automjetet e siguruara, por edhe rreth 100 mijë automjete të pasiguruara sa llogaritet të jenë në qarkullim në Kosovë.
Nga viti 2002 e deri më tani kompanitë e sigurimeve, sipas komunikatës thuhet se kanë paguar 400 milionë euro dëme, ndërkaq humbjet theksohet se kanë shkuar deri në 23,5 milionë euro.
Shtrenjtimi i sigurimeve për automjetet ka rritur shqetësimet dhe pakënaqësitë te qytetarët. Në forma të ndryshme, është paralajmëruar edhe kundërshtimi i këtij vendimi.
Përmes rrjeteve sociale, grupe të ndryshme që identifikohen si adhurues të veturave kanë nisur në forma të ndryshme të shprehjes së pakënaqësive duke kërkuar anulimin e vendimit.
Një grup i tillë është edhe ai me emrin, “marakli t’kerreve” të cilët thonë se vendimi është i padrejtë dhe ka për synim që t’ua rris përfitimet kompanive të sigurimeve.
Agan Hajdarhoxha nga ky grup, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se çmimi edhe para këtij vendimi ka qenë i lartë. Ai dyshon se edhe vlerësimi i dëmit të veturave në rast të aksidenteve, nuk ka qenë asnjëherë real.
“Nëse qytetarët dëshirojnë të udhëtojnë jashtë vendit, duhet të pajisen me Karton të Gjelbër, që nevojitet pagesë shtesë përveç sigurimit të paguar. Sigurimi i Republikës së Kosovës që ofrojnë kompanitë e sigurimeve, nuk vlen për asnjë vend të botës, përveç Shqipërisë”, tha Hajdarhoxha.
Edhe disa qytetarë të anketuar ditë më parë nga Radio Evropa e Lirë e quajn të papranueshëm vendimin e Bankës Qendrore te Kosovës për rritje të tarifave për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve.
Nuhiu nga Prishtina, thotë se tarifat e reja për automjetet janë të shtrenjta.
“Për ata që nuk kanë bërë gabime në komunikacion nuk është dashur të rriten tarifat. Për personat që bëjnë gabime do të duhej, por, jo për ata që nuk bëjnë gabime, 26 për qind është rritje e madhe”, thotë Avdiu.
Ndër të parët që ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit për sigurimet e automjeteve ishte edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ) me seli në Prishtinë. Ky Këshill e ka kundërshtuar rritjen e tarifave të sigurimit të automjeteve, duke e konsideruar si goditje për xhepin e qytetarëve të Kosovës nga ana e kompanive të sigurimeve. /REL/