Mos ndarja e mbeturinave nëpër kontejnerë, e rrit ndotjen e ambientit. Kështu vlerësojnë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ata thonë se për përmirësimin e kësaj gjendjeje, ministri Fatmir Matoshi ka iniciuar pilotprojektin për ndarjen e mbeturinave në burim.
MMPH ka filluar pilotprojektin për ndarjen e mbeturinave, në mënyrë që në vitet e ardhshme të bëhet edhe riciklimi i tyre. Këshilltari politik në këtë ministri, Leutrim Sahiti, tha për televizionin publik se fillimisht janë hartuar projekte vetëdijesuese për ndarjen e mbeturinave, pasi, sipas tij, fillimi i aplikimit të projektit për riciklimin e tyre, kërkon buxhet dhe kapacitete shtesë.
“Jemi duke implementuar projekte të ndryshme në komuna të ndryshme të Kosovës, në bashkëpunim edhe me organizatën joqeveritare “GAZ”, por këto janë pilotprojekte dhe ende nuk mund të themi që kemi ardhur në fazën kur mund të themi që kemi riciklim të mbeturinave në tërë Republikën e Kosovës, pasi që kjo do investim shumë më të madh, por kjo sadopak do ta përmirësojë gjendjen pasi që qytetarët do të vetëdijesohen, në mënyrë që të kemi një kujdes të shtuar të qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit”, tha ai.
Ndërsa, Merlina Beu-Muqaj, drejtoreshë e organizatës “Green Art Center”, tha se mos klasifikimi i mbeturinave në burim, ndikon që të ketë sasi më të mëdha të mbeturinave nëpër deponi të Kosovës.
“Është më rëndësi që në nivel shtetëror të nisin reformat për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim, pasi që kjo do të sillte zvogëlimin e sasisë së mbeturinave që shkojnë në deponi dhe normalisht kushte më të mira mjedisore për sa i përket menaxhimit të mjedisit jetik në Kosovë” , tha ajo.
Dy vitet e fundit, Qeveria e Kosovës i ka ndarë rreth 1 milion euro për pastrimin e hapësirave publike në kuadër të organizatës “Let’s Do It Kosova”, derisa për këtë çështje, janë ndërmarrë edhe shumë aktivitete të tjera nga organizata të ndryshme. Megjithatë, ndotja e ambientit në Kosovë, sipas njohësve të fushës në fjalë, vazhdon të rritet çdo ditë.