Avni Ajdini, edhe pse e ka arritur moshën e pensionimit më 9 shtator të këtij viti, ende është duke qëndruar në krye të BSPK-së. Me statutin e ri të BSPK-së tanimë atij është dashur t’i ndërpritet kontrata e punës, teksa nga njohësit e rrethanave vlerësohet se qëndrimi i tij në krye të BSPK-së është i jashtëligjshëm, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kohëve të fundit është vendosur në një pozitë të palakmueshme. Mollë sherri mes kryetarit të BSPK-së, Avni Ajdini, dhe sindikalistëve është bërë statuti i ri i BSPK-së e me të cilin Ajdini tashmë është dashur të lirohet nga kjo pozitë.
Me statutin e ri të BSPK-së është e përcaktuar qartë se kryetari duhet të lirohet nga pozita në kohën kur ai i mbush 65 vjet, pra në momentin kur ai e arrin moshën e pensionimit. Ajdini, i cili në krye të BSPK-së është zgjedhur në vitin 2017, me mandat 4-vjeçar, po kundërshton lirimin e pozitës së kryetarit pasi në këtë pozitë është zgjedhur me statutin e vjetër të BSPK-së, në të cilin mosha nuk ka qenë kriter për ndërprerjen e kontratës, shkruan tutje “Zëri”.
Nga njohësit e rrethanave vlerësohet se qëndrimi i Ajdinit në krye të BSPK-së është i jashtëligjshëm, sepse në kohën e hyrjes në fuqi të statutit të ri bien poshtë të gjitha dispozitat e statutit të vjetër.