Dy ditë grevë të punëtorëve të “Trepçës”, një orë grevë e punëtorëve të “Ferronikelit”, si dhe kërcënimet me radikalizim të protestave të punëtorëve kanë mjaftuar që menaxhmentet e këtyre dy gjigantëve ekonomikë kosovarë t’u binden kërkesave të punëtorëve për rritje dhe realizim të pagave.
Punëtorët e “Ferronikelit”, paga mesatare e të cilëve është 550 euro, do të përfitojnë rritje nga skema e planifikuar e shtesave, ndërsa minatorët e “Trepçës” do t’i marrin pagat e mbetura më së largu deri më 27 nëntor, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Dy ditë grevë e punëtorëve të “Trepçës”, një orë grevë e punëtorëve të “Ferronikelit” në javën që lamë pas, si dhe kërcënimet me radikalizimin e protestave të punëtorëve kanë dhënë efektet e tyre.
Menaxhmentet e këtyre dy gjigantëve ekonomikë kosovarë “janë detyruar” të ulen dhe të bisedojnë me sindikalistët për mënyrën e plotësimit të kërkesave të punëtorëve, atyre të “Trepçës” për pagesën e pagave për muajin tetor, si dhe një pjesë të pagave të mbetura më përpara, ndërsa atyre të “Ferronikelit” ngritje të pagave nga 100 euro për secilin punëtor.
Kërkesa e këtyre të fundit do të realizohet vetëm pjesërisht, pasi ata do të përfitojnë rritje nga skema e planifikuar e shtesave.