Ndaj rritjes prej 30 për qind të çmimit të sigurimit të veturave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka reaguar njohësi i sigurimeve, Besnik Nikçi.
Ai ka thënë se ky vendim e bën Kosovën të parën në rajon për çmimin e sigurimit të veturave.
Ky është reagimi i plotë i Nikçit në rrjetin e tij social facebook:
PRIMI
I SIGURIMIT TPL NE KOSOVE, ME I LARTI NE RAJON
Këto ditë BQK ka bërë njoftim për aprovimin e ngritjes së primit të sigurimit
të autopërgjegjësisë prej rreth 30%, duke e arsyetuar këtë rritje mbi bazën e
inflacionit dhe me arsyetim se ky prim është në të njëjtin nivel që nga viti
2002.
Fillimisht konstatimi se primi i sigurimit TPL nuk ka ndryshuar në 17 vitet e
fundit, kërkon verifikim. Tutje, në asnjë shtet primi i sigurimit në këtë lloj
të sigurimit nuk determinohet / përcaktohet nga shkalla e inflacionit, por nga
kriteret e përcaktuara qartë me metodat dhe parimet aktuaristike për primin
meritor. Ky prim kryesisht determinohet nga raporti në mes të vlerës së primit
të sigurimit me vlerën e dëmeve të paguara dhe atyre pezull / rezervuara, duke
mos përjashtuar edhe elemente tjera që reflektojnë qartë në përcaktimin e një
primi meritor teknik/funksional për përmbushjen e detyrimeve për rreziqet e
mbuluara me sigurim.
Pra, konsiderojmë se BQK ka dështuar me këtë qasje, kur pretendon që inflacioni
të jetë kriteri dhe “reper” të bëhet kjo rritje primi, e jo mbi bazat e
teknikës së mirënjohur aktuaristike të sigurimit. Për më tepër, sipas
dispozitës së Nenit 8 të Ligjit nr 04/L-018, BQK as që ka mandat të përcaktojë
prim unik të sigurimit – por vetëm të bëjë mbikëqyrjen e primeve të sigurimit
të kalkuluar nga secila kompani e sigurimit veç e veç, dhe të intervenojë në
afatin prej 30-ditësh nëse konstaton dhe ka vërejtje në përllogaritjen e një
primi meritor.
Nëse shkalla e inflacionit qenka për BQK-në kriter determinues i revizionit të
primit të sigurimit – me pretendim që të ketë për bazë gjendjen
socio-ekonomike, konsiderojmë se më e udhës do të ishte nëse BQK të bënte
paraprakisht një analizë krahasimtare të pagës mesatare dhe primit mesatar të
sigurimit TPL të shteteve në rajon. Në bazë të shënimeve që siguruam këto ditë
rezultoi diçka krejt ndryshe, respektivisht se paga mesatare në Kosovë është më
e vogla në rajon, ndërsa e kundërta kjo prinë me çmim më të lartë të primit të
sigurimit TPL.
Kur themi këtë, kemi parasysh se përderisa në Maqedoni paga mesatare është
vetëm për 4% më e lartë se në Kosovë, primi i sigurimit sipas kësaj rritje
është për 67% më i lartë në Kosovë; në Serbi, paga mesatare për 26% më e lartë,
ndërsa primi mesatar në Kosovë 63% më i lartë; në Mal të Zi, paga mesatare për
41% më e lartë, ndërsa në Kosovë 8% më e lartë mesatarja e primit të sigurimit.
Përfundimisht, për krahasim kemi marrë nga rajoni edhe shtetin anëtar të BE-së-
Kroacinë, ku paga mesatare është për 130% më e lartë se në Kosovë, ndërsa primi
mesatar i sigurimit TPL vetëm për 35% më i ulët – ku Kroacia në këtë sigurim ka
të përfshirë edhe TPL+ dhe një mbulesë siguruese më shumë se 5 herë më të lartë
( shuma minimale e sigurimit jo 1 milion EUR siç është në Kosovë, por 5.6
milion EUR për rast të siguruar).