Shoqëria civile ka kërkuar nga Policia dhe nga Prokuroria e Shtetit që ta hetojnë procesin e emërimit të noterëve të rinj. Sipas tyre, ky proces ka qenë i dyshimtë dhe emërimi i noterëve të rinj duhet të bëhet nga Qeveria e re, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Shoqëria civile po vazhdon presionin e saj ndaj ministrit të Drejtësisë Abelard Tahirit në lidhje me procesin e zgjedhjes së noterëve të rinj. Pavarësisht kërkesave të shumta që ky proces të kthehet në pikën zero, ende nuk është marrë asnjë veprim në këtë drejtim nga Ministria e Drejtësisë, shkruan tutje “Zëri”.
Që nga shpallja e konkursit për noterë kritika në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë kishin ardhur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila në muajin tetor të këtij viti kishte kërkuar që emërimi i noterëve të rinj t’i lihet Qeverisë së re, derisa kishte pasur reagime edhe nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe nga Oda Federale Gjermane e Noterisë.