Për dëmtimin e një druri dekorativ në Prishtinë, tre persona dënohen me 1400 euro

Adonis Tahiri, Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, ka njoftuar se tre persona janë dënuar për dëmtimin e një druri dekorativ në kryeqytet.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se gjoba ndaj tyre në total ishte 1400 euro dhe se me rastin po merret Policia.

“Këtij druri dekorativ iu deshën shumë vite që të rritet, e pak minuta që të shkatërrohet plotësisht. Falë angazhimit të inspektorëve kujdestarë, është parandaluar dëmtimi i pjesës tjetër të gjelbërimit në atë rrugë. Për këtë dëm të shkaktuar, tre persona janë dënuar në vendin e ngjarjes, me shumë totale 1,400 euro. Në të njëjtën kohë, edhe Policia po merret me rastin. Si shoqëri e si institucione, duhet të angazhohemi maksimalisht për zgjerimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra. Nëse këtë nuk e bëjmë, s’kemi pse të ankohemi as për ndotje të ajrit, as për pasojat tjera”, ka shkruar ai, duke mos e specifikuar lokacionin.

Reklama e sponzorizuar
Image