Që nga 15 nëntori, kur fillon sezoni dimëror, ngasësit e automjeteve obligohen që në automjetet e tyre të kenë pajisjet dimërore që parashihet me ligj.
Policia e Kosovës njofton se do të shqiptojë gjoba për ata që nuk i përfillin rregullat e trafikut rrugor për pajisje dimërore.
“Me fillimin e stinës së dimrit, shtohet rrezikshmëria në komunikacion, andaj policia apelon te qytetarët për kujdes më të shtuar, por edhe që automjetet t’i përgatisin me pajisje të nevojshme dimërore. Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën mes 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore”, tha për Radio Kosovën, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Nga ana tjetër, drejtuese të automjeteve të intervistuar nga RK, thonë se janë në dijeni se më stinën e dimrit, obligohen që automjeteve t’ua ndërrojnë gomat por edhe t’i sigurojnë pajisjet e tjera të domosdoshme për këtë stinë.
Sipas Udhëzimit Administrativ për Pajisje dimërore, shoferët duhet të kenë pajisjet dimërore për automjetet e udhëtarëve dhe mjetet transportuese, gomat e dimrit si dhe zinxhirët në rrotat tërheqëse.