Një hetim, i cili ligjërisht është kompetencë e Prokurorisë Speciale, vitin e kaluar është transferuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Sipas informatave brenda Prokurorisë, në hetim parapenal për këtë rast është kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Hetimi ka të bëjë me ndërtimin e disa rrugëve dhe favorizimi i një kompanie në këtë proces nga Komuna e Gjilanit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një vit para se Prokuroria Speciale të bëjë transferimin e rastit në nivelin e Prokurorisë Themelore, hetuesia ishte në fazën e mbledhjes së provave për dyshimet se ka korrupsion në dhënien e tenderëve në këtë komunë. Burime të hetuesisë kanë shpjeguar për gazetën se hetimi lidhet me katër tenderë që jashtëligjshëm i janë dhënë një kompanie. Sipas këtij burimi, Komisioni vlerësues fillimisht e kishte eliminuar një kompani.
“Komisioni vlerësues ka konsideruar se njëra nga kompanitë është e papërgjegjshme dhe se nuk i plotëson kriteret për ta marrë kontratën”, ka thënë ai.
Pas këtyre rezultateve, sipas informatave të hetuesisë, Komuna e Gjilanit ka krijuar një tjetër komision për të njëjtin tender.