Protestojnë punëtorët e “Infrakosit”, kërkojnë nga menaxhmenti t’ua japë pagat

Punëtorët e “Infrakosit” sot kanë mbajtur një protestë njëorëshe prej orës 08:00 deri në 09:00, pasi thonë se ka vonesa në marrjen e pagës së muajit shtator dhe tetor.

Krahas pagave të këtyre dy muajve, punëtorët e kësaj kompanie hekurudhore kanë kërkuar edhe shlyerjen e borxhit të trustit pensional.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur “Infrakos”, Hysen Nikqi tha se sot përmes kësaj proteste njëorëshe po e shprehin revoltën karshi menaxhmetit i cili nuk po i plotëson kërkesat minimale të këtyre punëtorëve.

Reklama e sponzorizuar

Përpos pagës dhe trustit, ai tha se kërkohet edhe që punëtorët e shërbimit ekzekutiv të pajisen me uniforma dhe rroba mbrojtëse si dhe të bëhet pagesa e borxheve të anëtarësisë së Sindikatës për muajt e kaluar të vitit 2019.

“Sot jemi tubuar për ta shprehur revoltën thellë për trajtimin tonë që po na e bënë ‘Infrakos’ sepse ka dy muaj e më shumë që punëtorët nuk i kanë marrë pagat pjesën dërrmuese të muajit shtator dhe komplet pagën e muajit tetor. Ne si sindikatë nëpërmjet dialogut me menaxhmetin kohë pas kohe kemi diskutuar për të realizuar kërkesat tona që kanë qenë shumë minimale”, tha Nikqi, transmeton ksp.

Nikqi tha se situata po vështirësohet pasi për gjendjen e krijuar askush nuk po merr përgjegjësi dhe se kërkesat e tyre ndër vite kanë hasur në vesh të shurdhër.

Fadil Orllati, mbikëqyrës i binarëve në “Infrakos” tha se që tre muaj gati janë pa paga dhe mezi po ia dalin t’i kryejnë obligimet edhe ndaj bankave.

“Ne po ia dalim me vështirësi thuajse buzë vdekjes dhe pa ngrinë e pa pirë ky i treti muaj pa paga jemi unë personalisht punoj që 38 vite këtu 182 euro kredi i kam… Thirrja e fundit dje më ka ardhur që nëse nuk e paguajë kreditin kemi me shku me procedura të tjera… kurrfarë kushte elementare momentalisht nuk kemi në punë”, tha ky punëtor.

Edhe Shaip Nuredini ka kritika ndaj menaxhmetit të “Infrakosit”. Sipas tij menaxhmenti nuk po jep asnjë arsyetim për këto vonesa të pagave të tyre.

Punëtorët e “Infrakosit” do të protestojnë edhe të hënën nga ora 8:00 deri në ora 10:00, për të vazhduar edhe të martën nga ora 8:00 deri në ora 12:00.

Kujtojmë që punëtorët e “Infrakos” kanë protestuar edhe në pranverën e këtij viti për shkak të vonesave të pagave të tyre.