Qeveria në ardhje mund të anulojë projeksionet e buxhetit për vitin 2020

Projeksionet e buxhetit për vitin 2020 të Qeverisë në largim të Kosovës, mund të anulohen nga Qeveria në ardhje. Përfaqësuesit e partive që i kanë fituar zgjedhjet e 6 tetorit, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se Korniza afatmesme e shpenzimeve 2020-2022, e publikuar nga Qeveria në largim, do të rishikohet.

Korniza afatmesme e shpenzimeve paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të hartohet buxheti vjetor për vitin 2020

Bazuar në rezultatin preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto parti janë duke negociuar rreth formimit të koalicionit qeverisës.

Reklama e sponzorizuar

Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje thotë për Radion Evropa e Lirë që secila qeveri dëshiron të planifikojë dhe miratojë vetë Ligjin e buxhetit dhe t’i adresojë prioritet që i ka në programin qeverisës.

“Duke pasur parasysh se kemi pasur mjaft kontrata të dëmshme edhe kemi pasur intervenime në buxhet që nuk janë bërë në mënyrë parimore dhe nuk mundësojnë zhvillimin e vendit, është e natyrshme që duhet të rishikohet në bazë të legjislacionit në fuqi, i cili lë hapësirë për një gjë të tillë, dhe gjithsesi se do të rishikohet”, thotë Nagavci.

Ajo thotë se presin që sa më shpejt të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe të hapet rruga për krijimin e Qeverisë së re, në mënyrë që të mos ketë vonesa në miratimin e buxhetit për vitin 2020.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas Kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.

Safet Gërxhaliu, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se është sfiduese që një projektbuxhet i bërë nga një Qeveri në largim, të zbatohet nga një Qeveri, e cila është në ardhje.

“Një ndër sfidat, me të cilat aktualisht ballafaqohet Kosova, është se jemi në një Qeveri në dorëheqje dhe presim një Qeveri të re, ku pritjet janë LVV dhe LDK. Një ndër temat aktuale që do të jetë në debat është buxheti për vitin 2020″.

“E them këtë sepse është një situatë mjaft e paqartë nga fakti se një buxheti i tillë duhet të miratohet nga një Qeveri në largim dhe të zbatohet nga një Qeveri në ardhje që do të jetë sfiduese, për faktin që një qeveri në largim ka qenë ajo që buxhetin paraprakisht e ka gjykuar për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara dhe të partive politike. Në këtë drejtim është dëmtuar Kosova”, thotë Gërxhaliu.

Infrastruktura rrugore, kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.

Organizatat ekonomike në Kosovë në vazhdimësi kanë hedhur kritika në projektimin e buxhetit ndër vite. Qeveria në largim ishte kritikuar edhe për mungesë të kulturës së menaxhimit të mjeteve buxhetore.

Gërxhaliu beson se Qeveria e re do të bëjë rishikimin e projeksioneve të buxhetit të vitit 2020 të Qeverisë në largim.

“Qeveria në ardhje nëse mendon të tregojë seriozitet dhe profesionalizëm dhe të dëshmojë që është për interesa të shtetit dhe jo për interesa të grupeve të caktuara të partive politike, duhet ta ketë një rishikim urgjent me qëllim që buxheti të jetë në funksion të zhvillimit”, thotë Gërxhaliu.

Në bazë të procedurave ligjore, deri më 31 tetor Qeveria e Kosovës do të duhej ta miratonte buxhetin e propozuar dhe ta dërgonte atë në Kuvend. Afati i fundit kur Kuvendi miraton buxhetin e Kosovës është 31 dhjetor.

Nëse buxheti nuk është miratuar deri më 31 dhjetor, atëherë në bazë të procedurave ligjore, Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.