Rreth 27 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin kundër hidrocentraleve brenda dy javësh sa ka zgjatur kjo nismë. Peticioni në mbrojtje të lumenjve do t’i dorëzohet Qeverisë dhe Kuvendit.
Diana Krasniqi nga Instituti Demokratik, thotë që presin nga institucionet e reja të trajtojnë me prioritet këtë peticion, raporton KTV.
Megjithatë, qytetarët që i janë përgjigjur pozitivisht kësaj nisme, kanë pak shpresë se kërkesat e tyre do të merren parasysh. Ata thonë se janë të gatshëm edhe për greva e protesta në mbrojtjeje të lumenjve.
Derisa në komunat e tjera ka përfunduar kjo nismë, në Ferizaj dhe Gjilan do të zgjasë deri të premten.
Tetë organizata të shoqërisë civile u bënë bashkë muajin e kaluar, duke nisur këtë peticion, nëpërmjet të cilit kërkohet nga institucionet që të ndalin degradimin e ambientit nga mini-hidrocentralet, të cilat janë duke u kundërshtuar nga banorët në shumë qytete të Kosovës.