Përmes një komunikate për media, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dje njoftoi se i ka ndryshuar tarifat e sigurimit për kateogoritë e automjeteve për pasagjerë.
Në komunikatë thuhet se nuk është miratuar raporti i aktuarëve i cili sugjeronte rritje prej 36 për qind, porse kompanitë duhet që rritjen ta përshtatin në bazë të shkallës së inflacionit prej vitit 2002 deri në vitin 2018, të matur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Në komunikatë nuk sqarohet se për çfarë rritjeje bëhet fjalë, pasi të kalkulohet shkalla e inflacionit.
Buletini Ekonomik ka analizuar shkallën e inflacionit ndër vite në Kosovë dhe ka përshtatur tarifën e primeve përkatëse me inflacion duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 për qind.
Nga kjo del se rritja e tarifave për këtë sigurim është rreth 30 për qind.
Por ky vendim nga BQK u mor përkundër një rekomandimi të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që kjo të mos ndodhte.
Në reagimin e e këtij institucioni me 13 shtator thuhet se Autoriteti ka konsideruar se kërkesa e BQK-se për të rritur çmimin e TPL-ve në 36.56% në mënyrë të një-trajtshme për të gjitha Kompanitë e Sigurimeve, bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
“Parimi themelor i ligjit dhe politikës së konkurrencës është të sigurojë qasje në treg të lirë për çdo ndërmarrje e cila i plotëson kushtet për të konkurruar në atë treg në interes të përdoruesve të produkteve/shërbimeve dhe të mund të konkurrojë me çmim dhe cilësi”, thuhet në këtë reagim.
Tutje në këtë reagim thuhet se Banka Qendrore e Kosovës si autoritet rregullator i industrisë së sigurimeve duhet të përkujdeset që Kompanitë e sigurimeve të konkurrojnë me çmime dhe cilësi të shërbimeve që ato ofrojnë.
“Të shmanget bashkëveprimi i kompanive të sigurimeve me njëri-tjetrin në procesin e përllogaritjeve të primeve, duke mos miratuar dhe orientuar një çmim të njëjtë, por ky proces të mbështetet në të dhënat e siguruara në mënyrë të pavarur nga kompanitë e sigurimit. Unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë. Banka Qendrore e Kosovës duhet të miratojë tabela të individualizuara mbështetur në analizën e riskut sipas strukturës/portfolit të Kompanive të Sigurimit, karakteristikave të produktit dhe strukturës së sigurimeve të secilit ofrues të sigurimeve. Pasi që kompanitë e sigurimeve në Republikën e Kosovës, aktualisht mbajnë çmime të njejta, Autoriteti sugjeron që të njejtat të jenë bazuar në kushtet e tregut, ofertë – kërkesë, e rrjedhimisht edhe përcaktimi i çmimit të bëhet nën këto kushte”.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës thotë se dallimet kryesore në përcaktimin e çmimit të primit të TPL-së ndërmjet kompanive të sigurimeve duhet të rezultojë mbi aftësinë e tyre për të parashikuar humbjet e ardhshme dhe aftësinë e tyre për të ngarkuar primin e duhur për secilën klasë nënshkruese, e cila gjithashtu duhet të jetë e mirëpërcaktuar dhe e saktë.
“Në varësi të strategjisë së shitjeve, kapaciteteve të kompanisë, si dhe një game të gjerë të parametrave të cilat mund të merren parasysh si mosha e shoferit, vjetërsia e automjetit, lloji i automjeteve, karakteristikave teknike, historiku i dëmeve dhe shumë arsye të tjera, përcaktimi i çmimeve gjithmonë duhet të bëhet në mënyrë të pavarur”.
Autoriteti i sugjeron BQK-se të shqyrtojë mundësinë e krijimit të grupeve të reja tarifore për mjete të cilat mund të kenë rrezikshmëri më të lartë, duke shmangur ngarkesën për grupet tjera tarifore te cilat nuk kane këtë nivel te rrezikshmërisë.