Rruga e Kombit dje u kushtoi 35 mijë euro kosovarëve që shkuan për të çuar ndihma

Vetëm gjatë ditës së djeshme kosovarët kanë paguar mbi 35 mijë euro taksë në “Rrugën e Kombit”. Bazuar në statistikat e Policisë, rreth 3 mijë automjete janë nisur dje drejt Shqipërisë, shumica e të cilave me ndihma humanitare për të prekurit nga tërmetet .

Tërmete të njëpasnjëshme goditën Shqipërinë që orët e para të mëngjesit të së martës. Dridhja e parë më e fuqishme u regjistrua rreth orës 03:50 dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit.

Nga tërmeti me magnitudë 6.3, deri tani raportohet se kanë mbetur të vdekur rreth 30 persona, derisa u lënduan mbi 600 të tjerë.

Reklama e sponzorizuar

Për t’iu dalë në ndihmë të prekurve atje, menjëherë filluan organizimet në Kosovë. Dikush ndante mjete financiare, e dikush batanije e ushqim.

Por, pavarësisht se morën rrugën drejt Shqipërisë për të iu ofruar ndihma të prekurve, ata nuk u liruan nga taksa në “Rrugën e Kombit”.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë të martës drejt Shqipërisë janë nisur rreth 3 mijë automjete nga Kosova, shumica e të cilave kanë qenë të ngarkuara me ndihma humanitare.

E sipas një përllogaritje të thjeshtë që ka bërë Gazeta Express, vetëm gjatë ditës së djeshme kosovarët kanë paguar mbi 35 mijë euro taksë në “Rrugën e Kombit”

Ndërkohë, tek sot shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morinë ka njoftuar se duke filluar që nga dita e djeshme ka lejuar kalimin pa pagesë të të gjitha makinave që janë solidarizuar ose kanë sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti

Përmes një komunikate drejtuar mediave, është bërë e ditur se ata do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente.

“Ju informojmë se shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morine (Rruga e Kombit), duke filluar qe nga dita e djeshme date 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagese te te gjithë makinave (individë, shoqata, institucione te Kosovës, Shqipërisë, etj), te cilët janë solidarizuar apo qe kane sjelle ndihma për te prekurit nga tërmeti. Këto grup personash do te lejohen te kalojnë pa pagese deri ne përfundim te situatës emergjente”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, taksa për Rrugën e Kombit ka filluar të zbatohet që nga 17 shtatori i vitit të kaluar. Kjo pagesë është kundërshtuar ashpër nga kosovarët dhe ishte konsideruar e papërballueshme për xhepat e tyre.

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj muaj më parë kishte thënë se Shqipëria duhet të heq gjitha barrierat ndaj Kosovës në mënyrë që të ndihmohet fuqizimi i ekonomisë nga dy të vendet.

“Është me rëndësi që Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimet e gjithanshme të i heqin gjitha pengesat edhe taksën e rrugës do ishte mirë të veprohej kështu dhe me ndihmuar lidhjen më të fuqishme ekonomike të gjithanshme Kosovë Shqipëri”.

Kundër taksës së vendosur nga shteti shqiptar ishin organizuar protesta nga qytetarët e qytetit të Kukësit, të cilat më pas kishin eskaluar duke shkatërruar të gjitha sportelet e vendosura që do të shërbenin për pagesën e kësaj takse.

Gjatë përplasjeve të ashpra ndërmjet banorëve të asaj pjese dhe policisë ishin lënduar të paktën 12 punonjës policie dhe drejtuesi vendor i Kukësit.

“Rruga e Kombit”, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit.

Kjo autostradë njihet si një nga projektet më madhore infrastrukturore që ka intensifikuar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kostoja e kësaj rruge, e paguar me buxhetet shtetërore të të dyja vendeve, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave për barrën buxhetore që e ka shkaktuar.