Shoqëria civile, letër komunitetit ndërkombëtar që të pengojë emërimin e noterëve të rinj nga Tahiri

Mbi dhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë me një letër përmes së cilës ata adresojnë shqetësimet e tyre në lidhje me emërimin mundshëm të noterëve të rinj nga ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në letrën e tyre, drejtuar shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadorin gjerman Christian Heldt, atij amerikan, Philip S. Kosnett, ambasadorit britanik Nicholas Abbott, ambasadores së Francës në Kosovë Marie-Christine Butel dhe Piero Cristoforo Sardit, ambasador i Italisë në Kosovë, 11 organizatat thonë se këto ditë janë informuar që ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, “është duke tentuar që të emërojë rreth 30 noterë nga e njëjta listë e kandidatëve të përzgjedhur në procedurë të dyshimtë”.

“Ne kërkojmë nga ju të nderuar ambasadorë që të vazhdoni të na mbështesni në kundërshtimin e fuqishëm të emërimit të noterëve të rinj. Ne ju ftojmë që premtimin e z. Tahiri se do të emërojë njerëz të kualifikuar të mos e merrni parasysh. Kërkesën tonë e bazojmë në faktin se ne kemi kundërshtuar procedurën e përzgjedhjes së noterëve dhe jo kandidatë të caktuar. Prandaj, asnjë noter nuk duhet të emërohet nga lista e kandidatëve aktualë të përzgjedhur përmes një procedure jashtëzakonisht të dyshimtë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga 11 OJQ të Kosovës, raporton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Organizatat në fjalë thonë se ministria e Drejtësisë ka udhëhequr një proces jashtëzakonisht të dyshimtë në përzgjedhjen e noterëve të rinj.

“Procesi është zhvilluar duke mos respektuar standardet minimale të transparencës. Lista e kandidatëve të përzgjedhur përbëhet në masë të madhe nga familjarë dhe njerëz të ndërlidhur me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me disa nga anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit për Noterinë, si dhe nga njerëz që nuk i kanë plotësuar as kushtet formale. Procedura e përzgjedhjes së noterëve të rinj është zhvilluar edhe gjatë kohës kur ministria nuk kishte legjitimitet për të zhvilluar një proces të tillë për shkak të rënies së qeverisë”, theksojnë këto organizata në letrën drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Në fund, ata shfaqin shpresën se misionet diplomatike ndërkombëtare të vendosura në vendin tonë do të vazhdojnë të mbështesin kundërshtimin e tyre “dhe presim që të luani rol proaktiv në përzgjedhjen e noterëve nga qeveria e re”.

“Vetëm në këtë mënyrë do të kemi noterë të pavarur, të paanshëm dhe të cilët do të gëzojnë besimin publik që është i domosdoshëm për një profesion të tillë”, ka përfunduar letra e 11 OJQ-ve të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare si rrjedhojë ka dalë kundër këtij procesi, ndërsa ministri në detyrë Tahiri e kishte mbrojtur këtë proces, duke thënë se do të vazhdojë me emërimin e tyre. Por, një ditë pas kësaj deklarate shpërfillëse ndaj kërkesës së shteteve të BE-së, Tahiri ishte tërhequr duke thënë për “Kohën Ditore” se “nuk do të ndërmarr asnjë hap të njëanshëm që mund ta dëmtojë procesin e noterisë në Kosovë”.

E në ndërkohë kishte reaguar edhe kreu i partisë të cilës i përket Tahiri, Kadri Veseli i PDK-së, i cili në një deklaratë në emisionin Rubikon të KTV-së, kishte thënë se “procesi i emërimit të noterëve të rinj duhet të ngrihet deri të vijë në pushtet qeveria e re”.

OJQ-të nënshkruese të kësaj letre janë:

Instituti EPIK

Lëvizja FOL

Lëvizja Çohu

Demokraci Plus

Demokraci për Zhvillim

Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Instituti Demokratik i Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Iniciativa për Progres

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

Instituti Columbus