Stiglitz: Fundi i neoliberalizmit dhe rilindja e historisë

Në fund të Luftës së Ftohtë, shkencëtari politik Francis Fukuyama shkroi një ese të famshëm të quajtur ” Fundi i historisë? “. Rënia e komunizmit, argumentoi ai, do të largojë pengesën e fundit që e ndan gjithë botën nga fati i saj i përcaktuar për demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut. Shumë njerëz u pajtuan me këtë konstatim.

Sot, ndërsa ne përballemi me një tërheqje nga rendi global, i bazuar në rregulla, me sundimtarë autokratë dhe demagogë që udhëheqin vende që përmbajnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës, ideja e Fukuyama’s duket e çuditshme dhe naive. Por ajo ide përforcoi doktrinën ekonomike neoliberale që ka mbizotëruar për 40 vitet e fundit. Kredibiliteti i besimit të neoliberalizmit në tregjet e papenguara si rruga më e sigurt drejt prosperitetit të përbashkët është në zhdukje e sipër këto ditë. Dhe kështu duhet të jetë.

Zhdukja e njëkohshme e besimit në neoliberalizëm dhe në demokraci nuk është rastësi ose korrelacion i thjeshtë. Neoliberalizmi ka minuar demokracinë qe 40 vite. Forma e globalizmit e përshkruar nga neoliberalizmi la individët dhe shoqëritë e tëra të paafta për të kontrolluar një pjesë të rëndësishme të fatit të tyre, siç e ka sqaruar qartë Dani Rodrik i Universitetit të Harvardit, dhe siç argumentoj në librat e mi të fundit “Globalizimi dhe Pakënaqësitë e tij” dhe “Njerëzit, Fuqia dhe Fitimet”.

Reklama e sponzorizuar

Efektet e liberalizimit të tregut të kapitalit ishin veçanërisht të neveritshme: Nëse një kandidat kryesor presidencial në një treg në zhvillim humb pëlqimin apo përkrahjen nga Wall Street, bankat do të tërhiqnin paratë e tyre nga vendi i tij. Votuesit atëherë u përballën me një zgjedhje të ashpër: Dorëzohuni Wall Street-it ose përballeni me një krizë të rëndë financiare. Ishte sikur Wall Street të kishte më shumë fuqi politike sesa qytetarët e vendit. Edhe në vendet e pasura, qytetarëve të thjeshtë u thuhej, “Ju nuk mund të ndjekni politikat që ju dëshironi” – qoftë mbrojtjen adekuate sociale, paga të mirëfillta, taksim progresiv, ose një sistem financiar të rregulluar mirë – “sepse vendi do të humbasë konkurrencën, vendet e punës do të zhduken, dhe ju do të vuani pasojat”.

Në vendet e pasura dhe të varfëra njësoj, elitat premtuan se politikat neoliberale do të çonin në një rritje më të shpejtë ekonomike dhe se përfitimet do të rrjedhnin nga lartë-poshtë, në mënyrë që të gjithë, përfshirë këtu edhe më të varfërit, do të ishin më mirë. Sidoqoftë, për të arritur atje, punëtorët do të duhet të pranojnë paga më të ulëta, dhe të gjithë qytetarët duhet të pranojnë zvogëlime të përfitimeve nga programet e rëndësishme sociale. Elitat pretenduan se premtimet e tyre bazoheshin në modele shkencore ekonomike dhe “hulumtime të bazuara në prova”.

Epo, pas 40 vitesh, rezultatet janë këto: rritja ekonomike është ngadalësuar, dhe frytet e kësaj rritje kanë shkuar disproporcionalisht tek një grup i vogël në krye të piramidës. Ndërsa pagat stagnuan dhe tregu i aksioneve u rrit, të ardhurat dhe pasuria rrodhën lart tek të pasurit, në vend se të binin poshtë tek qytetarët e thjeshtë. Si mundet që kufizimi i pagave – për të arritur ose ruajtur konkurrencën – dhe zvogëlimi i programeve qeveritare të rezultojnë me standard më të lartë të jetesës?

Qytetarët e zakonshëm ndjeheshin sikur u ishin faturar mallra që ata nuk i merrnin dot. Pra, kishin të drejtë të ndiheshin të mashtruar. Tani ne po përjetojmë pasojat politike të këtij mashtrimi madhështor: mosbesimi ndaj elitave, ndaj “shkencës” ekonomike mbi të cilën ishte mbështetur neoliberalizmi, dhe të sistemit politik të korruptuar që e bëri të gjithë këtë të mundur. Realiteti është se, përkundër emrit të saj, epoka e neoliberalizmit ishte larg të qenurit liberale. Ajo imponoi një ortodoksi intelektuale, mbrojtësit e së cilës ishin jashtëzakonisht jotolerantë ndaj kundërshtimeve.

Ekonomistët me pikëpamje heterodokse u trajtuan si heretikë për t’u shmangur, ose në rastin më të mirë u ‘gjuajtën’ në disa institucione të izoluara. Neoliberalizmi kishte pak ngjashmëri me “shoqërinë e hapur” që Karl Popper e kishte mbrojtur. Siç ka theksuar George Soros, Popper e pranoi që shoqëria jonë është një sistem kompleks, gjithnjë në zhvillim, në të cilin sa më shumë mësojmë, aq më shumë njohuritë tona ndryshojnë sjelljen e sistemit.

Askund nuk ishte kjo jotolerancë më e madhe sesa në makroekonomi, ku modelet mbizotëruese përjashtuan mundësinë e një krize si ajo që kemi përjetuar në vitin 2008. Kur ndodhi e pamundura, u trajtua sikur të ishte një përmbytje 500-vjeçare – një dukuri e çuditshme që asnjë model nuk mund ta parashikonte.

Edhe sot, avokatët e këtyre teorive refuzojnë të pranojnë se besimi i tyre në tregjet vetë-rregulluese dhe injorimi i eksternaliteteve të tyre, pasi që sipas tyre këto tê fundit ose nuk ekzistojnë ose nuk kanë rëndësi, çuan në de-rregullimin e ekonomisë që ishte thelbësor në nxitjen e krizës. Teoria vazhdon të mbijetojë, me përpjekjet Ptolemeike për ta “përshtat” atë me faktet, gjë që dëshmon për realitetin se idetë e këqija, të krijuara dikur, shpesh kanë një vdekje të ngadaltë.

Nëse kriza financiare e vitit 2008 nuk arriti të na bëjë të kuptojmë se tregjet e papenguara nuk funksionojnë, kriza klimatike sigurisht që duhet: neoliberalizmi do të sjellë përfundimisht fundin e civilizimit tonë. Por është gjithashtu e qartë se demagogët që duan që ne t’ja kthejmë shpinën shkencës dhe tolerancës, vetëm se do t’i përkeqësojnë gjërat.

E vetmja rrugë përpara, e vetmja mënyrë për të shpëtuar planetin dhe qytetërimin tonë, është një rilindje e historisë. Ne duhet të rigjallërojmë iluminizmin dhe të ri-angazhohemi që të nderojmë vlerat e tij të lirisë, respektin për dijen dhe demokracinë. /Përkthyer nga Buletini Ekonomik/