Aviokompania me kosto të ulët Wizz Air ka përcjellë pak më shumë se 1,118,000 pasagjerë në fluturimet e saj në Shkup gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019, duke e shtrirë dominimin e tij në kryeqytetin maqedonas.
Siç mëson Buletini Ekonomik, Wizz Air ka tani rreth 62.2% të të gjithë udhëtarëve në Aeroportin e Shkupit. Wizz Air pasohet nga Turkish Airlines në një vend të largët të dytë me një pjesëmarrje prej 7% të pasagjerëve, më pas Austrian Airlines me 5.8% të tregut, Chamber Airlines me 4% dhe Pegasus Airlines me një pjesë prej 4%. Croatia Airlines është aviokompania më e madhe nga ish-Jugosllavia në Shkup, duke përcjellë rreth 55,700 udhëtarë gjatë nëntë muajve, me një pjesëmarrje të tregut prej rreth 3.1%.
Wizz Air ka rritur dominimin e tij në Shkup këtë vit me hapjen e katër linjave të reja në qytet. Aviokompania e vendosi edhe aeroplanin e saj të pestë në kryeqytetin maqedonas. Aviokompania pret të rrisë numrin e pasagjerëve më tej në tremujorin e katërt pasi linja ajrore i zhvendosi dy linja sezonale në linja gjithëvjetore.
Në përgjithësi, Stambolli mbeti destinacioni më i vizituar nga Shkupi (nëse llogariten të dy aeroportet e vendit) me 9.9% të të gjithë pasagjerëve që fluturojnë për në ose nga qyteti më i madh i Turqisë. Ajo u pasua nga Cyrihu me një pjesëmarrje të tregut 6.3%, pastaj Vjena me 5.8%, Bazel me 5.3% dhe Malmo me 4.1%.
Aeroporti i Shkupit mirëpriti 1,798,129 pasagjerë gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, që paraqet një përmirësim prej 8.2%, apo rreth 137.640 udhëtarë më shumë se në 2018. Një numër i konsiderueshëm i pasagjerëve janë nga Kosova.
Menaxheri i Përgjithshëm i operatorit TAV Maqedoni, Alper Ersoy, tha se: “Aeroportet e Maqedonisë po lulëzojnë. Ato kanë rritjen më të madhe në Ballkan dhe në Evropë. Ne jemi të kënaqur që po përdoren shumë edhe nga qytetarët nga vendet fqinje (sidomos nga Kosova), të cilët i përdorin rregullisht aeroportet në Maqedoni për udhëtimet e tyre. Ne do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e tyre, me qëllimin që t’i shndërrojmë aeroportet në Shkup dhe Ohër në qendrat kryesore të trafikut ajror rajonal.” /Buletini Ekonomik