Zgjerimi i rrugës Podujevë-Prishtinë me defekte

Defekte të shumta janë evidentuar në një projekt rrugor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transporteve. Zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë i njohur edhe si N25, ka kohë që është ndërprerë. Arsyet ende nuk dihen.

E përveç zvarritjes së punimeve, në këtë pjesë ku zgjerimi ka nisur në vitin 2016 (nga rrethrrotullimi afër hotel “Besiana” në Podujevë në drejtim të Prishtinës), jo gjithçka është bërë si duhet. Në rreth tetë kilometra përafërsisht sa është punuar në këtë rrugë nga Podujeva në drejtim të Prishtinës, i ndarë në dy lote, askund nuk ka korsi ngadalësuese që do të mundësonte hyrje-daljet, shkruan sot Koha Ditore.

Në mungesë të kësaj, banorë të lagjeve të ndryshme gjithnjë i ekspozohen rrezikut pasi rrugët e tyre që lidhen me këtë magjistrale kanë pjerrtësi të madhe, ndërkohë që inkuadrimi në rrugë bëhet direkt në korsinë e shpejtë. Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve përgjatë kësaj pjese të zgjeruar nuk ka paraparë asnjë rrethrrotullim (përveç atij te hotel “Besiana”, ku lidhet rruga kryesore e qytetit) dhe asnjë mbikalim për të mundësuar kalimin në kahun tjetër të rrugës.

Reklama e sponzorizuar

Kështu siç është, ngasësit e automjeteve i shfrytëzojnë hapësirat në mes të rrugës ku ndahet rruga dhe kjo bëhet nga shiriti i shpejtë, ku rreziku është permanent. Përgjatë pjesës së zgjeruar nuk është ndërtuar asnjë vendstacion për autobusë. Për të gjitha këto është kërkuar përgjigje nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transporteve nga java e kaluar (më 21 nëntor), por ata kanë vazhduar të heshtin. Ndërkohë, Bekim Ahmeti, që është ekspert i komunikacionit ka vërejtje të shumta për punimet që janë bërë në këtë rrugë. Edhe ai thotë se për shkak të defekteve në këtë rrugë, rrezikshmëria nga aksidentet është shumë e lartë.