2020-ta mund ta gjejë Kosovën pa buxhet të miratuar, rrezikohen bizneset private

Mosformimi i institucioneve mund të ndikojnë që Kosova të hyjë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar. E nga kjo më së shumti do të pësojnë bizneset private, përveç mos përfitimit nga prokurorimi publik, gjysma e ndërmarrjeve të cilat janë të varura nga tenderët e shtetit do të mbyllen.

Kështu thotë për Ekonomia Online, drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.

Ai tha se ky është skenari me i keq në të cilin gjendet Kosova, dhe sipas tij, Qeveria nuk do të mund të implementojë projektet kapitale për vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse tashme ky është skenari i keq i mundshëm që qeveria e re nuk do të krijohet me kohë dhe Kuvendit nuk i dihet gjendja që të marrë një projektligj për buxhetin për vitin 2020 dhe të njëjtin ta aprovojë, do të ketë disa dispozita kalimtare që do të mundësojnë hyrjen në vitin e ri fiskal ose buxhetor me kufizime. Kjo do të thotë e kufizuar për sektorin privat meqenëse qeveria nuk do të mund të implementojë projektet e parapara kapitale për vitin 2020. Duke e ditur sa shumë është i varur sektorit privat nga aktiviteti dhe prokurorimi publik i institucioneve qeveritare. Kjo do t’i prek ata në aspektin e infuzionit të parasë së gatshme”, u shpreh Zeka.

Ndër të tjera, Zeka potencoi se në momentin kur Kosova ka nevojë për krijimin e vendeve të reja të punës, po mbyllen ato ekzistuese.

“Qeveria ose institucionet e shtetit mbesin blerësit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve atëherë do të ketë mundësi më të vogla për sektorin privat që të përfitojnë nga aktivitetit të prokurorimit publik. Kjo mund të qojë që një pjesë e vendeve të punëve të sektorit privat e sidomos ato ndërmarrje që janë të varura nga tenderët e shtetit do të mund të mbyllen, po flasim në një situatë kur ne kemi nevojë që të krijojmë vende të reja të punës e jo mos ti mbyllim ato ekzistuese”, tha Zeka.

Zeka kërkoi nga partitë politike që të arrijnë një marrëveshje sa më të shpejtë, që të jetësohen prioritetet legjislative e politike, ndër to edhe buxheti.

“Shpresojmë që të shohim një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur brenda partive që synojnë të marrin pushtetin dhe që kanë marrë legjitimitetin e qytetarëve. T’i përvishen punës e t’i dërgojnë përpara këto prioritete legjislative dhe të tjera të politikave që duhet t’i shohim të jetësohen sa më shpejt. E buxheti natyrisht që është njëri nga prioritetet e rëndësishme”, tha tutje Zeka.