ARKEP jep arsyet e rritjes së tarifave nga Vala e Ipko

Në të njëjtën kohë gjatë këtij viti, dy operatorët e vetëm në Kosovë të telefonisë mobile, Vala dhe Ipko kanë shtrenjtuar çmimet për thirrje telefonike dhe mesazhe. Rritja është e konsiderueshme dhe e menjëhershme.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), përmenden një sërë arsyesh që i çuan operatorët deri tek kërkesa për rritje të tarifave.  

Por më kryesorja është përdorimi i aplikacioneve për komunikim dhe rënia e interesimit për shërbimet tradicionale nga qytetarët.

Reklama e sponzorizuar

“Shtrirja e shërbimeve brez gjera dhe përdorimi i aplikacioneve për komunikim ka ndikuar drejtpërdrejt ne rënien e përdorimit te shërbimeve tradicionale  dhe rrjedhimisht edhe ne rënien e te hyrave për operatoret  ndërsa ne anën tjetër shpenzimet operative dhe kapitale janë rritur për operatoret, te cilët në vazhdimësi janë duke e zgjeruar zonën e mbulimit, mirëmbajnë dhe modernizojnë rrjetin etj”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

ARKEP sqaron se janë rritur vetëm çmimet standarde për thirrjet jashtë pakove dhe në disa raste vetëm për parapaguesit me parapagim.

“Edhe në vendet tjera të rajonit dhe me gjerë,  operatoret ofrojnë shërbime në pako si për parapaguesit me parapagim po ashtu edhe për ata me kontratë, ne te cilat me një tarifë fikse ofrojnë minuta, sms dhe qasje në internet mobil (megabajt), shumëfish me lire se sa këto shërbime te bliheshin një nga një”.

Kështu, përderisa konsumatorët e Valës deri në muajin e kaluar kanë paguar 9 centë për çdo minutë për thirrje telefonike brenda të njëjtit operatorë, që nga fillimi i këtij muaji do të paguajnë 13 centë. Ndërkohë për thirrje telefonike me operatorë të tjerë brenda Kosovës çdo minutë konsumatorëve të Valës do t’iu kushtojë 15 centë, dy centë më shtrenjtë sesa kishte qenë. Edhe dërgimi i mesazheve është shtrenjtuar. Nga 2 centë sa ka qenë është bërë 6 centë. Në anën tjetër, shtrenjtimi i thirrjeve dhe mesazheve telefonike është bërë edhe nga Ipko. Kështu derisa thirrja telefonike çdo minutë brenda operatorit ka kushtuar 9 centë, tash e disa muaj është bërë 13 centë. Jashtë operatorit nga 10 centë është bërë 15, ndërkohë që dërgimi i një mesazhi kushton 6 centë.

Nga Arkep thonë se meqë struktura e përdoruesve të telefonisë mobile në Kosovë 95% është me parapagim, kjo po krijon pasiguri ne realizimin e të hyrave per operatorët, ndërsa në disa vende të rajonit dhe ato të EU është e kundërta.

“Numri i parpaguesve me kontratë është më i lartë. Me rritjen e çmimeve jashtë pakove, operatoret po tentojnë t’i nxisin konsumatorët e tyre që sa me shume te marrin shërbime në pako te cilat janë me te leverdishme për ta dhe njëkohësisht krijon stabilitet financiar për operatoret”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

Buletini Ekonomik mëson se kjo rritje e tarifave nga këta dy operatorë dyshohet se është bërë në mënyrë të bashkërenduar pas daljes nga tregu të Z-Mobile, të cilës iu shkëput kontrata nga Telekomi në korrik të këtij viti.

Kryetari i Komisionit për Konkurrencë, Sakip Imeri, ka thënë për Buletinin Ekonomik se deri më tani ky institucion nuk e ka trajtuar këtë rast, porse nuk e ka përjashtuar si mundësi që do të ndodhë në të ardhmen. /Buletini Ekonomik/