Asnjë aktakuzë e profilit të lartë qe më shumë se një vit, KPK-ja mburret me rezultate

Ka gati dy vjet prej kur Prokuroria Speciale nuk ka dorëzuar në gjykatë asnjë aktakuzë kundër ndonjë zyrtari që i takon profilit të lartë. Mungesën e aktakuzave kundër zyrtarëve të lartë të premten kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës e ka parë si krejt normale, pasi që, siç ka thënë ai, atij nuk i interesojnë emrat, porse “të korruptuarit do të dënohen”.

Megjithatë, të premten, në prezantimin e përmbledhjes së punës njëvjeçare të institucionit të ndjekjes, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka numëruar ato që, sipas tij, janë suksese të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.

Mungesën e rezultateve në hetimin dhe ngritjen e aktakuzave për profilin e lartë, ai e ka arsyetuar me atë se nuk bëjnë dallim se kush është zyrtar i lartë ose jo, pasi, sipas Hysenit, secili zyrtar publik që akuzohet për korrupsion është zyrtar i lartë.

Reklama e sponzorizuar

“Sistemi prokurorial ka zgjidhur 94 për qind të rasteve të pranuara. Përkushtim i veçantë iu ka kushtuar edhe raporteve penale që lidhen me këto vepra penale. Ka arritur që gjatë këtij viti t’i mbyllë 314 informata penale, apo në përqindje janë 98.7 për qind. Ndërsa sa u përket krimeve ekonomike ka 383 raste të pranuara, me 480 persona janë zgjidhur 357 raste, me 470 persona respektivisht janë zgjidhur 4 për qind më shumë sesa lëndët që janë pranuar. Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet të rasteve kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, ka thënë Hyseni.

Kritikave për mungesë të rezultateve në ndjekjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë u është përgjigjur me atë se ky institucion e respekton vetëm ligjin.

“Për ne, për sistemin prokurorial, nivel i lartë janë të gjithë personat që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe që janë zyrtarë të lartë sipas ligjit për deklarimin e pasurisë. Natyrisht këtë vit e dini se kemi pasë aktakuza ndaj inspektorëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe shumë të tjerëve”, ka deklaruar Hyseni.