Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që të inkasojë mbi 102 milionë euro nga borxhet e trashëguara ndër vite, e që ka shënuar rritje prej 42 për qind krahasuar me vitin e kaluar që kishte inkasuar rreth 72 milionë euro.
Këto të dhëna janë bërë publike në një konferencë për media, ku janë prezantuar rezultatet e aktiviteteve për mbledhjen e borxheve, me theks të veçantë aktivitetet për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve borxhlinj.
Nga zyrtarët e ATK-së po ashtu, u bë e ditur se nga janari deri në nëntor 2019, ATK ka inkasuar një vlerë prej 465.7 milionë euro, shumë kjo që në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rreth 44 milionë më tepër, transmeton KP.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se në janar kanë pasur një stok të borxhit prej 376 milionë eurosh, ndërsa tha se sot është rreth 355 milionë euro. Ai tha se janë 21 milionë euro borxhe më pak.
“Këtë vit si rezultat i ngritjes së përgjegjësisë dhe llogaridhënies dhe trajtimit serioz të këtij indikatori, është arritur që për herë të parë të ndryshohet një trend që në vazhdimësi për 20 vjet kemi pasur një trend rritës të stokut të borxheve. Tani në raport nga 1 janari që kemi pasur një stok të borxhit 376 milionë euro, sot kemi rreth 355 milionë euro, pra për 21 milionë euro kemi borxhe më pak. Është arritur të inkasohen gjatë periudhës 11 mujore deri sot mbi 102 milionë euro borxhe, që nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë inkasomi i periudhës janar-nëntor 2018 ka qenë rreth 72 milionë euro, rezulton që kemi një rritje për mbi 42 për qind efikasitetit të mbledhjes së borxheve. Të dhëna këto që na inkurajojnë, nuk janë të kënaqshme, por na inkurajojnë që të vazhdojmë edhe më fuqishëm në mbledhjen e borxheve”, tha ai.
Murtezaj, po ashtu, ka bërë të ditur se ATK gjatë vitit 2019 ka arritur që inkasojë vlerë prej 465.7 milionë euro, shumë kjo e cila sipas tij, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rreth 44 milionë më tepër.
“Gjatë periudhës janar-nëntor 2019 ATK-ja, ka inkasuar një vlerë prej 465.7 milionë euro, shumë kjo që në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është për rreth 44 milionë më tepër ose shprehur në përqindje për 10.4 për qind më tepër se viti i kaluar. Rezultate këto që janë arritur si rezultat i një pune të madhe që është bërë gjatë këtij viti në ATK, ku përkundër një nënperformance së mos ekzekutimit të shpenzimeve kapitale në vlerë prej 447 milionë euro për periudhën janar-nëntor, përkundër përfundimit të projektit të autostradës i cili gjatë vitit të kaluar ka realizuar pagesa të tatimeve për vlerë mbi 12 milionë euro, përkundër borxhit që krijohet nga kompanitë publike, të cilat janë kompani që ndërlidhen me çështje sociale dhe që ne si ATK nuk mundemi të zhvillojmë aktivitete të tërësishme te këto kompani, ATK-ja prapë se prapë ka arritur fuqishëm ta rritë performancën”, tha ai.
Drejtori i ATK-së deklaroi se kanë paraparë të realizohen mbi 27 reforma në 10 fusha të ndryshme. Ai u shpreh se reforma kryesore e ATK-së është konsolidimi i mbledhjes së detyrueshme.
“Në kuadër të këtij plani është paraparë që të realizohen mbi 27 reforma në 10 fusha, ku një ndër fushat kyçe, e që është reforma më e thellë në ATK është konsolidimi i mbledhjes së detyrueshme, përmes kësaj reforme synohen të arrihen tri qëllime, e para të bëhet shpërndarja e barabartë e punëve te zyrtarët tatimor, e dyta të arrihet efikasiteti i mbledhjes së borxheve dhe e treta është zvogëlimi i diskrecionit të zyrtarëve tatimor ose zvogëlimi i mundësisë së zyrtarëve tatimor në keqpërdorime në detyrë zyrtare”, tha ai.
Funksioni i mbledhjes së detyrueshme do të jetë i ndarë në katër faza, ku Murtezaj tha se faza e parë do të jetë trajtimi i hershëm i borxhit, e dyta pjesa e fillimit të bllokimit të llogarive bankare, doganës së saj dhe procedura të saj, faza e tretë përmes së cilës zyrtarët tatimor fillojnë procedurën e konfiskimit dhe faza e katërt është faza e fillimit të procesit të falimentimit të kompanisë.
Murtezaj ka kërkuar ndihmën e të gjithë shoqërisë dhe të bizneseve që ta ndihmojnë ATK në luftimin e korrupsionit, ku tha se do të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin detyrën zyrtare.
Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i ATK-së Nijazi Asllani, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-nëntor ATK ka zhvilluar mbi 250 procese të konfiskimit, numër i cili sipas tij është rekord nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që kanë qenë vetëm 5 raste.
“Janë mbi 250 raste, kurse me veprime konkrete duke vendosur edhe shiritat për konfiskim janë diku 136 raste, që në krahasim me vitet e kaluara kemi një rritje të jashtëzakonshme. Mirëpo, pavarësisht kësaj rritjes ne pretendojmë që rezultatet në të ardhmen me konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme që parashihet të startojë në vitin 2020, me konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme veprimet tona do të jenë edhe më të konsoliduara dhe do të jenë edhe më të drejtpërdrejta. Po ashtu, aktualisht po ju njoftojë janë në aksion me Policinë e Kosovës, zyrtarët e ATK, gjithmonë konform procedurave të ndjekura të mbledhjes së detyrueshme janë në aksion në tri lokacione, sot aktualisht në Prishtinë dhe në Lipjan dhe vlera e borxhit të këtyre subjekteve që kanë ndaj ATK-së është mbi 150 milionë euro”, tha ai.
Asllani bëri të ditur se pas konfiskimit bizneset kanë të drejtë që deri në momentin e shitjes në ankand të hyjnë në marrëveshje me ATK, që borxhin ta paguajnë me këste.
Ai tha se bizneset e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe gjatë vitit 2019 janë 73 milionë euro vlerë që është arritur si pasojë e këtyre marrëveshjeve, ndërsa bëri të ditur se vitin e kaluar kjo vlerë ka qenë 33 milionë euro.