Bahtiri: Jam takuar me Agim Veliun, koalicioni me LDK-në do të arrihet

Kryetari i Mitrovicës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është shprehur i bindur se javën që po hyjmë do të arrihet marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së për qeverisjen e përbashkët në mandatin katër vjeçar.

Kjo sipas tij do të ndodhë posa Albin Kurti të kthehet nga Berlini në Kosovë.

Bahtiri ka thënë se ka biseduar me nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu për të zhbllokuar ngërçin mes dy subjekteve politike.

Reklama e sponzorizuar

“Dje jam takuar me Agim Veliun dhe kemi biseduar për këtë çështje dhe marrëveshja do të arrihet”, ka thënë ai për Express.

Ai tutje ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme do t’i takojë Vetëvendosjes.

Gazeta Insajderi ka raportuar dje se tashmë ministritë janë ndarë dhe se MPB do t’i takojë LDK-së.

Takimi i ditës së hënë mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk arriti të prodhojë rezultatin e pritshëm për një koalicion mes dy partive.

Dy liderët nuk u pajtuan për postin e Presidentit të cilin po e kërkon LDK-ja.

Kurti dhe Mustafa në parim janë pajtuar që kabineti qeveritar të përbëhet nga 12 ministri. /Insajderi.com/