Drejtori më i paguar në Kosovë – 5 mijë euro rrogë

Kreu i  Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj vazhdon të jetë personi më i paguar në Kosovë, madje paga e tij llogaritet si një pagë më e lartë se edhe e vet Presidentit të shtetit dhe Kryeministrit.

Tolaj në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, ka deklaruar se paga e tij në këtë institucion të pavarur është 5 mijë e 78 euro, përderisa kjo pagë për një vit arrinë vlerën e gjithsej 60 mijë e 936 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Përveç pagës për pozitën e drejtorit menaxhues në AKP, te deklarimi i tij mbi pasurinë për këtë vit, ai ka theksuar edhe një pagë prej Zyrës së Kryeministrit, që figuron në vlerën e 4 mijë e 401 eurove, si dhe një pagë me mbishkrimin ‘bonus’ nga ish-partia e tij, AAK-ja, prej 3 mijë e 597 eurove.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime nga Agjencia Kosovare e Privatizimit me pyetjen se cila është paga e saktë e drejtorit menaxhues, mirëpo ata janë mjaftuar vetëm me këtë përgjigje:

“Në lidhje me pagën, ju lutemi që të lexoni me kujdes deklarimin e pasurisë. Paga e drejtorit menaxhues të Agjencisë nuk përcaktohet nga drejtori, nuk është në shumën e pretenduar nga ju, por është e vendosur nga Bordi i Drejtorëve i Agjencisë shumë vite më pare”, përgjigje kjo nga Departamenti i Marketingut në AKP. /Buletini Ekonomik/