Gjashtë vjet burgim për ish-kryeministrin kroat për marrje ryshfeti

Një gjykatë kroate i ka shpallur fajtorë ish-kryeministrin kroat dhe shefin e grupit energjetik hungarez MOL për korrupsion, duke hapur kështu një kapitull të ri në sagën ligjore që ka zgjatur për gati një dekadë.

Shefi Ekzekutiv dhe Kryesuesi i MOL-it, Zsolt Hernadi, u shpall fajtor për dhënie ryshfeti ndaj ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader, më 2008 për t’ia lejuar MOL-it të bëhet vendimmarrësi kryesor në firmën energjetike kroate INA, ku MOL-i është aksionari më i madh dhe shteti kroat është i dyti, raporton Reuters.

Reklama e sponzorizuar

Ata u dënuan me burgim prej dy respektivisht gjashtë vjetësh, ka raportuar televizioni i Kroacisë N1, ndonëse asnjëri nga ta nuk ishin në gjykatë. Vendimi nuk është final dhe mund të apelohet, transmeton Koha.net.

Kryetari i Gjykatës, Ivan Turudiq, tha: “Ka një urdhërarrest aktiv evropian për Hernadin dhe Hungaria duhet të veprojë në bazë të tij”.

Hernadi dhe Sanaderi, që ishte kryeministër nga viti 2003 deri më 2009, i kanë mohuar akuzat e këtij rasti që fillimisht u zbulua nga agjencia kroate anti-korrupsion.

Hungaria ka refuzuar të zbatojë një urdhërarrest ndërkombëtar të Interpolit për Hernadin.

Gjykatësja e rastit, Maja Stampar Stipiq, tha se Sanaderi ishte pajtuar me Hernadin se Kroacia do t’ia jepte të drejtat e vendimmarrjes MOL-it, në shkëmbim të 10 milionë eurove.

MOL-i tha në një deklaratë të lëshuar për mediat se ishte e zhgënjyer me vendimin dhe se Hernadi vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të bordit të MOL-it.

Sanader fillimisht ishte dënuar me 8-1/2 vjet burgim më 2014 për marrje ryshfeti nga MOL-i, por Gjykata Kushtetuese e Kroacisë më 2015 urdhëroi rigjykim, duke u thirrur në gabime procedurale.

Të hënën, dënimi ndaj Sanaderit u përgjysmua në gjashtë vjet sepse ai ishte sëmurë në ndërkohë, ka thënë Turudiqi.