Grabitjet në rritje – Kush i kompenson paratë e vjedhura në bankat e Kosovës?

Rastet e grabitjeve apo tentim-grabitjeve të bankave në Kosovë, janë një dukuri në rritje për kah rastet që janë raportuar viteve të fundit nga Policia e Kosovës.

Të tilla raste po raportohen në shumë qytete të vendit, por më e atakuar po del të jetë Prishtina.

Madje si pasojë e këtyre krimeve humbi jetën edhe një person zyrtar vitin e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra nga përleshja me një të armatosur në qendër të Istogut, i cili dyshohet të ketë tentuar ta grabiste një bankë.

Por, kush i kompenson paratë e vjedhura nëpër banka?

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti ka thënë për FaktePlus se kostoja financiare që shkaktohet me rastin e ngjarjeve të tilla asnjëherë nuk mbulohet nga klientët, por nga vetë bankat.

“Bankat i sigurojnë paratë e gatshme tek kompanitë e sigurimeve që janë të licencuara dhe që mbikëqyren nga BQK-ja. Kostoja financiare që shkaktohet me rastin e ngjarjeve të tilla asnjëherë nuk mbulohet nga klientët apo BQK-ja, por nga vetë banka, e që këto të fundit kanë kontrata me kompanitë e sigurimeve”, ka thënë ai.

Sipas Ahmetit, çështja e plaçkitjeve të bankave është përcjell me kujdes nga BQK-ja, dhe për këtë në muajin shkurt të këtij viti është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi në mes të disa institucioneve të Kosovës  për të krijuar një ambient më të sigurt për zhvillimin e aktiviteteve të bankave.

“Rrjedhimisht, me iniciativë të Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti në muajin shkurt të këtij viti pas shumë diskutimeve për shqetësimet rreth dukurisë së plaçkitjes së institucioneve financiare në Kosovë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Policisë së Kosovës dhe të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre”.

Ahmeti, ka treguar se sipas Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut Operacional, bankat njoftojnë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me këto ngjarje dhe organet tjera përkatëse që janë përgjegjëse.

Kurse, në Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë thënë për FaktePlus se duke iu referuar statistikave nuk ka pasur asnjë grabitje të bankomatit këtë vit.

“Referuar statistikave të raportuara nga Shoqata e Bankave të Kosovës nga anëtarët e saj, nuk ka pasur asnjë grabitje të bankomatit këtë vit deri në periudhën raportuese (shtator 2019). Vitin e kaluar ishin 7 incidente të tilla”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave.

Në përgjigjen e tyre, thuhet se sa i përket thyerjeve të bankave ka qenë vetëm një sulm.

“Sa i përket thyerjeve të bankomateve, ka qenë një sulm më 2019 i cili ishte realizuar me eksploziv me qëllim që të bëhej dëmi brenda në bankomat. Ishte shkaktuar dëmtim i theksuar i materialit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Ndërsa, thuhet se kishte një sulm ndaj një mjeti transportues të parave dhe dy përpjekje të pasuksesshme, një tentim thyerje e bankomatit dhe një tentim thyerje e filialës.

Në Shoqatën e Bankave kanë thënë për FaktePlus se këtë vit situata në sektorin bankar deri në shtator krahasuar me vitin e kaluar në periudhën e njëjtë ka qenë më e mirë.

“Duke e krahasuar me vitin e kaluar, situata e sigurisë në sektorin bankar, deri në shtator të vitit 2019, ka qenë shumë më e mirë. Dukshëm ka pasur më pak plaçkitje dhe grabitje të bankomateve, ndërsa thyerjet mbesin në një nivel tejet të ulët, me vetëm një rast të regjistruar”, thonë nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Sipas ueb-faqes së BQK-së, në Kosovë operojnë dhjetë banka të licencuara, disa prej të cilave janë me kapital të huaj dhe dy me kapital vendor. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër-kredi, e-banking. /FaktePlus/