Haradinaj ndau 50 milionë euro për Aurostradën e Dukagjinit, VV-LDK kundër
Qeveria në largim këmbëngulë që autostrada e Dukagjinit të ndërtohet, Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës deklarojnë për KosovaPress, se ky projekt do të stopohet, pasi qyteteve të Dukagjinit nuk iu nevojitet një autostradë e tipit të mbyllur. Madje, thonë se ky projekt edhe do të hetohet.
Edhe pse Qeveria në largim ka shpenzuar mbi 1 milion euro për fizibilitetin e projektit të autostradës së Dukagjinit, dy partitë që pritet ta formojnë Qeverinë e re, kanë qëndrim të prerë për ta ndaluar së realizuari këtë projekt infrastrukturor.
Megjithatë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka paraparë edhe 50 milionë euro për vitin 2020, për këtë autostradë që lidhë komunat Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, në gjatësi mbi 90 kilometra.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se qeveria në ardhje nga VV dhe LDK mund ta stagnojë ose vonojë projektin e autostradës së Dukagjinit, por ky projekt është i pa shmangshëm.
Haradinaj thotë se kjo autostradë duhet të ndërtohet, ngaqë ka përfitim në ekonomi dhe interes për çdo qytetarë të Dukagjinit. Ai deklaron se për këtë projekt janë ndarë mjete buxhetore dhe po ashtu për vitin e ardhshëm, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka paraparë mbi 50 milionë euro për vitin 2020.
Sidoqoftë, kryeministri në largim, thotë se jetësimi i këtij projekti tani mbetet në duart e Qeverisë së re të Kosovës.
Kurse, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti këto që do pritet ta formojnë qeverinë e re, janë deklaruar se nuk do të lejojnë ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.
Nga VV-ja Besnik Bislimi i tha KosovaPress-it, se projekti për autostradën e Dukagjinit do të stopohet, madje edhe do të hetohet nga qeveria e re. Bislimi tregon se do të hetohen edhe disa projekte të tjera që kanë nisur nga qeveria në largim me disa kontrata të dyshimta korruptive.
Po ashtu, edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa deklaron për KosovaPress, se qyteteve të Dukagjinit nuk iu nevojitet një autostradë e tipit të mbyllur, prandaj kjo parti nuk mbështet një projekt të tillë, por një zgjerim të rrugës prej së cilës do të përfitonin qytetarët dhe bizneset në atë pjesë.
Përveç autostradës, qeveria e re do të jetë e sfiduar edhe me dy projekte të tjetra, atë për “Kosovën e re” dhe për Fondin sovran.
Besnik Bislimi thotë se për Fondin sovran është parë nevoja për disa sqarime shtesë me partnerin e mundshëm për qeverisje të vendit, mirëpo jo që ka rezerva.
Edhe Besian Mustafa shton se vendimi final për projekte energjetike dhe Fondin sovran, janë tema që i do të shtrohen gjatë takimeve mes liderëve politik, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit.