Kosova dhe më pas Mali i Zi, Bjellorusia e Shqipëria janë vendet që kanë peshën më të vogël të Evropës në investimet e huaja direkte, në vitin 2018, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
Kosova nga ana tjetër mban rekordin mes të gjitha vendeve të analizuara për prezencën më të ulët evropiane në investimet e huaja në vend, me vetëm 37%, ndërsa Shqipëria me vetëm 53.9% të totalit në vitin 2018, raporton KTV.
Pozicionimi i Shqipërisë ndër vendet që kanë prezencë të ulët të Bashkimit Evropian në stokun e investimeve të tyre të huaja direkte vjen kryesisht si rrjedhojë e faktit që projekti më i madh në volum në Shqipëri, gazsjellësi trans-adriatik është i regjistruar si konsorcium në Zvicër, vend i cili nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.
Në vitin 2015 norma e prezencës së Bashkimit Evropian në stokun total të investimeve të huaja direkte në Shqipëri fiksohej në 66%. Për vende si Polonia, Rumania, Bullgaria, Serbia apo edhe Maqedonia e Veriut, norma ngjitet në mbi 70%, 80% apo edhe 90%, thonë të dhënat e Institutit të Vjenës.
Në korrik të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e tij për klimën e investimeve në Shqipëri. Sipas raportit, Shqipëria shënon rritje në ekonomi, por është gjithnjë e më e vështirë për investitorët e huaj që të shkojnë në këtë vend. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.