Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), edhe pse ende nuk ka publikuar koston financiare të shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve të 6 tetorit, kërkohet nga auditori i përgjithshëm të konstatojnë shumën dhe mënyrën e shpenzimeve.
Për zgjedhjet parlamentare të fundit, të cilat rezultate u certifikuan më 27 nëntor, Ministria e Financave i pati alokuar KQZ-së rreth 6 milionë euro.
Megjithatë, zyrtarë të këtij institucioni që i organizuan zgjedhjet nuk po tregojnë se sa mjete prej këtyre i kanë shpenzuar për krejt procesin zgjedhor i cili ka pasur një kohëzgjatje më të madhe krahasuar me të gjitha palët tjera zgjedhore që janë mbajtur deri më tani në vend.
Por pranojnë se kohëzgjatja e madhe zgjedhjeve ka ndikuar në rritjen e kostos së përgjithshme
Njohës të kësaj fushe pohojnë për KosovaPress se rritja e shpenzimeve në vazhdimësi nga KQZ, duhet të pasohet me përgjegjësi të sekretariatit të KQZ-së dhe te Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Zëdhënësi KQZ-së, Valmir Elezi thotë për KosovaPress, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën finale e përmbylljes së pagesave që kanë të bëjnë me shpenzimet e procesit zgjedhor të 6 tetorit.
Teksa shton se për këto zgjedhje mjetet e planifikuara kanë qenë në shumën rreth 6 milionë euro, por se sa nga kjo shumë janë shpenzuar, kjo nuk mund të thuhet tani për tani, pasi KQZ-ja është në përgatitje e sipër të raportit të shpenzimeve.
Zëdhënësi Elezi po ashtu thotë se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të publikojë një raport të plotë për shpenzimet zgjedhore dhe mënyrën e shpenzimit, ndërsa koha se kur të bëhet ky publikim, sipas ligjit, është brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultateve.
“Kohëzgjatja e procesit zgjedhor nga dita e shpalljes së zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në certifikimin e rezultatit, është një kohëzgjatje më e madhe krahasuar me atë të zgjedhjeve, sidomos të zgjedhjeve 2017 dhe 2014, sigurisht se kjo ndikon në rritjen e kostos së përgjithshme të procesit zgjedhor. Natyrisht se për të pasur të dhëna të sakta sigurisht që duhet të presim këtë raport të shpenzimeve dhe do të dimë saktë se sa është kjo kosto më e lartë krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore”, deklaron Elezi.
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotë se procesi sa më shumë që zgjatë në kuptimin e zvarritjes së procesit elektoral, shpenzimet janë më të mëdha, sepse të gjithë ata njerëz që janë angazhuar dy muaj ditë, ka rritë edhe koston financiare.
Profesori universitar shton se proceset elektorale gjithnjë më tepër po i kushtojnë vendit më shumë sesa që kushtonin dikur. Sipas tij, çmimi i këtij procesi elektoral siç ishte ky i datës 6, është mjaft i lartë.
“Të gjitha ciklet zgjedhore te ne po përcillen me shpenzime relativisht të mëdha, por si do qoftë është çështje dhe përgjegjësi e atyre organeve, në këtë rast e KQZ-së, Sekretariatit dhe të Auditorit të përgjithshëm për të konstatuar se ka pasur shumë apo pak. Nuk është punë e saktë tjetër dhe mendoj që ajo që do të duhej të bërë në të ardhmen është reforma zgjedhore në mënyrë që të kemi edhe një sistem jo vetëm të përshtatshëm dhe një legjislacion zgjedhor, por një sistem që kushton më pak”, thotë Baraliu.
Ndërsa, për thirrjet e zyrtarëve të VV-së për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, këshilltari i ministrit në detyrë të Financave, Lulëzim Rafuna ka hequr çdo dilemë për të siguruar mjetet financiare për një proces të ri zgjedhor.
“Nëse ka dekret nga presidenti i Kosovës për caktimin e zgjedhjeve të reja, duke u bazuar në fondin rezervë të Ministrisë së Financave, ne kemi mundësi të sigurojmë në këto rrethana para ose mjete financiare për KQZ-në”, thotë Rafuna për KosovaPress.
Zyrtarë të KQZ-së pohojnë se ka ende persona të cilët kanë punuar për zgjedhjet e 6 tetorit, të cilët nuk kanë marrë mjetet që i takojnë për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive apo edhe llogari jopersonale.
Në raste të tilla, këta persona duhet të komunikojnë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve për të paraqitur përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta ridërgojmë për pagesë.
Numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 22 mijë e 500. Nga ky numër vetëm 500 raste ka pasur kur mjetet janë kthyer për ndonjërën nga arsyet e lartcekura. Shumë prej tyre janë ridërguar sërish për pagesë.
Gjithashtu, listat me personat e angazhuar si staf ditor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si dhe listat me personat e angazhuar në dërgimin e rezultateve nga Qendrat e Votimit do t’i përcjellën për pagesë në Ministrinë e Financave gjatë javës që vjen./KsP/