“Lufta” në Arbitrazh me Z-Mobile, Telekomi i jep mbi 600 mijë euro për t’u mbrojtur

Kompania Z-Mobile, që për pronar e ka Blerim Devollin, në muajin nëntor të këtij viti vendosi që sërish ta dërgonte në Gjykatën e Arbitrazhit, Telekomin e Kosovës, pas shkëputjes së kontratës nga kjo e fundit.

Bordi i Telekomit të Kosovës në muajin qershor ka marrë vendim që ta ndërpresë kontratën me kompaninë Z-Mobile, duke konsideruar se kjo kontratë e nënshkruar 10 vjet më parë, ka rezultuar të jetë e dëmshme për Telekomin dhe si e tillë e ka futur në krizë financiare.

Por, tani Telekomit i mbetet t’i përfundojë edhe procedurat gjyqësore me kompaninë Z-Mobile, e cila ka shtruar rastin në Gjykatën e Arbitrazhit dhe po kërkon rreth 15 milionë euro, siç pretendon “për shkak të dëmeve që Telekomi ia ka shkaktuar”.

Reklama e sponzorizuar

E sot është njoftuar që Telekomi i Kosovës e ka angazhuar një kompani për të marrë shërbime ligjore në këtë gjykatë.

Është operatori ekonomik “Hogan Lovells (Paris) LLP” me seli në Paris të Francës që do ta përfaqësojë Telekomin në ‘ballafaqimin’ me Z-Mobilen e Devollëve. Kjo kompani e ka fituar kontratën për shumën e 630 mijë eurove, e për kaq para ishte ofruar edhe një kompani tjetër, por e cila është refuzuar.

Ndërkohë Telekomi në këtë rast ka shpëtuar disa para, pasi vlera e parashikuar e kontratës për këtë  për këtë çështje ishte 1,5 milion euro.

Siç njoftohet në faqen zyrtare të prokurimit, kjo kompani do të ofrojë shërbime ligjore e te përfaqësimit te autoritetit kontraktues pranë arbitrazhit ndërkombëtar për rastet e ngritura.

Bordi i PTK-së pas padisë kishte reaguar se do të përfaqësohen profesionalisht në Arbitrazh dhe se do të dëshmoheshin dëmet e shkaktuara nga Z-Mobile.

Ata kishin thënë se mosvazhdimi i kontratës me Z-Mobile kishte ardhur pas ekspertizave dhe konsultimeve ligjore dhe se ishte në pajtim me ligjin.

Kujtojmë ndërkohë se kompania Z-Mobile do të përfaqësohet prej një zyre ligjore nga Vjena.

Z-Mobile pretendon se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.

Z-Mobile në padi i kishte renditur 3 arsye kryesore sipas të cilave e kishte bërë këtë:

1) Se licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit që i referohet marrëveshja e vitit 2009, nuk ka skaduar. Ajo është vazhduar. Si licencë e vazhduar, ajo nuk është licencë e re. Në fakt, më 30 korrik 2019, vazhdimi quhet “e drejta e vazhdimit”. Rrjedhimisht, edhe marrëveshja e 2009-s është vazhduar. Telekomi duhet të vazhdojë të ofrojë shërbime të telefonisë mobile për Z-Mobile;

2) Duke e injoruar këtë, Telekomi ka synuar ta përfundojë marrëveshjen e vitit 2009 dhe e ka informuar Z-Mobile më 30 korrik, se marrëdhënia e tyre kontrakutale do të përfundonte më 31 korrik 2019, porse do të kishte një “periudhë tranzitore”. Krejt kjo, pa asnjë bazë ligjore dhe në kundërshtim me marrëveshjen e parë të vitit 2009.

3) Edhe sikur licenca e Telekomit të ketë skaduar dhe ai të fitonte një të re, Telekomi nuk e ka diskutuar rinovimin e kontratës me Z-Mobile-in në mirëbesim. Thënë më butë, për 6 muaj, Telekomi është tallur me Z-Mobile-in. Ngjarjet tregojnë se Telekomi ka vepruar në keqbesim që prej fillimit. /FaktePlus/