Të gjithë të moshuarit e Kosovës sot do të marrin pensionet e tyre. Por, punonjësit e arsimit të viteve 90-ta sot bashkë me pensionet e tyre të rregullta do t’i marrin edhe shtesat sipas ligjit për kontributin e dhënë në atë periudhë.
Këtë e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharem Shahini.
“Sot dalin pensionet, me pensione do t’u dalin edhe shtesat mësimdhënësve të viteve 90-ta”, ka thënë Shahini.
FaktePlus, në vazhdimësi ka raportuar për shtesat e mësimdhënësve të viteve 90-ta, e ditë më parë nga institucionet është pohuar se kanë përgatitur edhe vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore.
“Për zbatimin e Ligjit nr.06/L-073 për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990-1991 dhe duke u bazuar kërkesën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është përgatitur vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore”, ka thënë Shahini.
Ndërsa udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), Bahri Xhaferi, kishte thënë për FaktePlus se kjo e fundit i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe se tashmë gjithçka ka mbetur në dorën e Ministrisë së Financave.
“Ministria e Punës i ka bërë të gjitha përllogaritjet, e ka përcjell kërkesën për pagesë në Ministrinë e Financave, Ministria e Financave është duke bërë përpjekje maksimale për t’i ekzekutuar pagesat”, ka thënë ai.
Ndërsa, pezullimi i Ligjit për Paga ka bërë që mësimdhënësit e viteve 90-ta, që kanë punuar 9 vite të marrin jo 95 euro siç ishte thënë por do të marrin diku rreth 70 euro.
“Llogaritjen prej 95 euro për mësimdhënësit që kanë punuar 9 vite e kemi bërë në bazë të Ligjit të ri të Pagave edhe kjo ka qenë arsyeja e përllogaritjes, respektivisht tash më të vogël e që është 70 euro. Në momentin që hyn në funksion Ligji i ri për Paga dhe fillon zbatimi atëherë përllogaritja do të bëhet në bazë të vlerës së re”, ka deklaruar Xhaferi.
Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish- liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro.
Në ditën kur edhe ka filluar zbatimi i Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar edhe se cilat dokumente duhet të kenë parashtruesit e kërkesës, duke përfshirë: kopjen e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës; Ekstraktin e lindjes; Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar); Faturën e tatimit në pronë; Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës; si dhe Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontribues.
Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre kompensimin për kontributin e dhënë gjatë asaj kohe.