Nga java e ardhshme mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të fillojnë të marrin kompensimin ligjor.
Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), Bahri Xhaferi, tha për Ekonomia Online, se janë për të gjitha përgatitjet dhe çdo gjë është gati për kompensim.
“Shumë besoj që për të gjitha kërkesat që janë parashtruar nga 15 gushti deri tani që i kemi trajtuar për muajin nëntor pasi ka qenë një afat i përcaktuar për parashtrim të kërkesave pagesa e tyre do të bëhet këto ditë, sigurisht që do të ndodhë javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Xhaferi tha se kanë pasur problem për sigurimin e mjeteve nga Ministria e Financave pas rënies së qeverisë edhe pse këto mjete kanë qenë të parapara më herët, por që tani kjo çështje është zgjidhur.
“Kemi pasur pak problem Ministria e Financave tek sigurimi i mjeteve edhe pse ato mjete kanë qenë të parapara mirëpo për shkak të mosfunksionimit të plotë të qeverisë ka ndodhur kjo vonesë deri më tani, përndryshe çdo gjë është gati është përllogaritur dihet saktë sa është vlera për një vit sa është vlera për 9 vite dhe do të ketë periudhë retroaktiviteti me pagesë nga muaji prill deri në muajin nëntor ndërsa kërkesat që bëhen nga 1 dhjetori e tutje pagesa e tyre do të bëhet prej muajit dhjetor e tutje”, ka thënë ai.
Xhaferi ka treguar se kjo përllogaritje është bërë me ligjin e vjetër dhe pagesa do të jetë maksimalja për 9 vite punë 70 euro.
“Për 9 vite është diku 70 euro ndërsa për një vit shkon më pak, pagesa është bërë konform kornizës ligjore që është duke u zbatuar, përllogaritja është bërë me ligjin e vjetër me pagën që kanë qenë te mësimdhënësit e arsimit fillorë, ndërsa me hyrjen e ligjit të ri për pagat do të jetë bazë për llogaritje të tjera, por që aktualisht përllogaritjet janë bërë me ligjin e vjetër që ka qenë për arsimin fillorë, 405 euro dhe me përqindje për 9 vite e arrin vlerën maksimale 70 euro për një muaj për të gjithë ata punëtorë që kanë punuar në sistemin arsimorë të atëhershëm pavarësisht pozicionit mësimdhënës, punëtorë teknik është vlera e njëjtë për një vit pune dhe realizimi i kësaj pagese do të bëhet gjatë këtij muaji, respektivisht gjatë javë së ardhshme”, ka shtuar ai.
Xhaferi tha për Ekonomia Online se punëtorët e arsimit do të marrin pagesën në mënyrë retroaktive që nga muaji prill kur edhe ka hyrë ligji në fuqi.
“Për të gjithë ata persona që kanë parashtruar kërkesë prej 15 gushtit deri më 30 nëntor do të kenë pagesë retroaktive prej muajit prill dhe pagesa vazhdon edhe më tutje, ndërsa për raste kur bëhet kërkesa prej 1 dhjetorit atëherë pagesa fillon vetëm prej dhjetorit, ka qenë një vendim i kabinetit për këtë periudhë kohore që t’ju mundësohet njerëzve të parashtrojnë kërkesa, 3 muaj e gjysmë nëse nuk gaboj ka qenë kohë e mjaftueshme, më së shumti kanë pasur problem me sigurimin e vërtetimeve për vitet e punës në sistemin arsimor të asaj kohe”.
E, kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jashari për Ekonomia Online tha se nga informacionet që kanë pagesat do të bëhen së shpejti si dhe do të merren edhe shtesat e muajit prill dhe se këto llogaritje janë bërë me ligjin aktual të pagave, e jo me Ligjin e Ri për Pagat të cilin tashmë Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar.
“Në Departamentin e Dhënies së Pensioneve kemi informacione se kanë filluar t’i lëshojnë vendimet e reja me këtë vlerën tjetër 74 dhe unë po them jam i sigurt që punëtorët e arsimit të viteve të ’90-ta do të marrin pensionin, do të marrin shtesën mbase jo atë 95 euro që e kanë pritur, por 74 dhe do të marrin edhe shtesat nga prilli e deri tek viti i ri, nëse shkon ligji i pagave ata do ta kenë edhe një ngritje tek ajo shtesa”
Jashari përkundër kësaj është shprehur se nëse nuk bëhen këto pagesa këtë muaj atëherë do të mblidhen me Këshillin drejtues të SBASHK-ut dhe do të dalin me vendim se si do të veprohet.
“Jam i sigurt që pasi që buxheti është dhe të gjithë janë të gatshëm për ta bërë këtë, jam shumë i sigurt që në muajin dhjetor do t’i marrin pensionet e tyre plus shtesën e dhjetorit dhe shtesat nga prilli, uroj të ndodhë kështu, ne do të ulemi Këshilli Drejtues dhe do të na autorizojnë çka do të bëjmë tutje”.
Vlera për kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, nis nga 19 deri në 70 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar. Shuma mësimdhënësve iu ndahet në bazë të Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit.
Kostoja e zbatimit të ligjit për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.
Ndërkaq numri i mësimdhënësve të cilat ishin të angazhuar në procesin arsimor gjatë viteve 1990-1999 llogaritet të jetë rreth 23 mijë.