MKRS fillon t’ia lëshojë vendin presidencës– Buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 41 mijë euro qiraja mujore

Pas disa protestave që mbajtën kundër zhvendosjes së administratës së Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport nga objekti zyrtar në një objekt privat me një pagesë të madhe mujore për qiranë, duket se shkuan në vesh të shurdhër.

Kabineti i ministrit në largim të MKRS-së, janë duke përgatitur dokumentacionin dhe inventarin përkatës për zhvendosje në objektin privat. Kjo u bë e ditur nga Këshilli Organizativ i Protestës, të cilët thanë se kjo gjë po bëhet pa asnjë procedurë administrative dhe në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Kulturës do të zhvendoset në një objekt privat, ku do të paguajë 41 mijë euro qira në muaj.

Reklama e sponzorizuar

“Është e pa precedent që pasuria e MKRS, po zhvendoset nga persona jo kompetent që më nuk kanë asnjë përgjegjësi institucionale dhe pa dijeninë e shërbimit te administratës. Kjo le të gjykohet vet nga opinioni se çfarë do të thotë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ata po ashtu kanë thënë se mandati i ministrit në largim Kujtim Gashi, ka përfunduar juridikisht më datën 27 nëntor, pas certifikimit zyrtar nga KQZ.

“Sipas listës zyrtare të KQZ-së, z. Gashi është zgjedhur deputet me çka i përfundon angazhimi në cilësinë e Ministrit në detyrë, sipas nenit 70 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës në të cilën theksohet qartë se mandati i deputetit fillon me certifikimin e rezultatit zgjedhor ne lidhje me nenin 72 – papajtueshmëria e funksionit te deputetit. Për këtë gjë, jemi në dijeni se ekziston edhe interpretim juridik nga ana e Zyrës Ligjore të Zyre së Kryeministrit në vitin 2017. Çdo veprim i tij pas datës 27 nëntor 2019 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Këshilli Organizativ i Protestës, po ashtu bënë thirrje  stafit të kabinetit të ministrit në largim që të ndalojnë çdo veprim që janë duke e ndërmarrë për zhvendosje.

“Kjo përbën veprim të kundërligjshëm i cili cenon pasurinë dhe pronën e institucionit pa mandat dhe pa autorizim, si persona privat qe është e vepër e dënueshme. Në të kundërtën, i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse ligjzbatuese që sipas detyrës zyrtare (ex officio) të hetojnë dhe ndalojnë veprimet në fjalë”, përfundon komunikata e KOP.

Kujtojmë se kjo zhvendosje e stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti aktual është për t’ i lëshuar vend Presidencës së Kosovës. Mirëpo para disa ditësh një kërkesë e tillë ishte pezulluar përkohësisht. /Insajderi.com/