Muja: Në vitin 2017 presidenti Thaçi ishte i durueshëm me PAN-in, tash shfaqet i shqetësuar për formimin e institucioneve

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi të premten i ka bërë ftesë Albin Kurtit, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, të kandiduarit të vetëm për postin e kryeministrit, për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë së re. Por, dy ftesat, që Thaçi ia adresoi Kurtit, nuk rezultuan me realizimin e takimit mes tyre.

Analisti Armend Muja, në një prononcim për Telegrafin, tha se kemi një dallim të theksuar në qasje në dy raste të ndryshme nga Presidenti i njëjtë, “derisa në vitin 2017 ai shfaqej i durueshëm dhe optimist për 3 muaj sa kishte zgjatur përpjekja e PAN-it, tash shfaqet tejet e shqetësuar me vonesat”.

Sipas Mujës, thirrja në takim e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese relative e zgjedhjeve nga ana e Presidentit, menjëherë pas konstituimit nuk është praktikë e pazakonshme në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk është i ekzagjeruar as shpjegim i Albin Kurtit se nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej aty për aty”, tha  Muja.

Megjithatë, sipas Mujës,  letra e dytë e Presidentit është jashtë praktikes se respektit të ndërsjellë.

“Presidenti thërret takimin për të dëgjuar propozimin e fituesit e jo për të caktuar mandatarin. Afati ligjor 15 dite rrjedh nga koha kur fituesi e ka propozuar mandatarin e jo nga koha kur ftohet takimi”, tha Muja për Telegrafin.

Ai më tej tha se “kemi një dallim të theksuar në qasje në dy raste të ndryshme nga Presidenti i njëjtë: në vitin 2017 Presidenti shfaqej i durueshëm dhe optimist për 3 muaj sa kishte zgjatur përpjekja e PAN-it për të krijuar numrat, ndërkohë që këtë radhe shfaqet tejet e shqetësuar me vonesat”.

“Gjithsesi, është e rëndësishme që të dy palët të takohen dhe konsultohen deri në caktimin e mandatarit të ri. Mandatari i ri pastaj do të kishte 15 dite kohë për të formuar Qeverinë”, tha Muja.

Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë arritur ta finalizojnë me marrëveshje koalicioni procesin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndarjen e pushtetit dhe formimin e qeverisë.

Por, pavarësisht këtij fakti, duke u thirrur në kompetencat kushtetuese që pasojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, procedurë kjo që u përmbyll të enjten, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi liderin e partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurtin, në konsultime në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Në bazë të Kushtetutës, fillimisht presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen, për ta formuar Qeverinë.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/