Ndërtimet, të cilat janë bërë në Kosovë pas periudhës së luftës, po konsiderohen të pasigurta nga njohësit e ndërtimtarisë dhe të arkitekturës. Ata theksojnë se një tërmet si ai 26 nëntorit në Shqipëri do të rrënonte shumë ndërtime, të cilat janë bërë pa kritere e pa mbikëqyrje përgjatë këtyre 20 vjetëve, shkruan sot gazeta zëri.
Ndërtesat e ndërtuara pas luftës në Kosovë janë kryesisht të pasigurta në raste të lëkundjeve të tokës. Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri rrëzoi shumë ndërtesa dhe i bëri të pabanueshme shumë të tjera. Kjo shpërfaqi ndërtimet e dobëta dhe të pakritera që janë bërë atje. Më mirë nuk qëndron as Kosova, profesorë të ndërtimtarisë e arkitektë në Kosovë pohojnë se ndërtimet që janë bërë që nga paslufta në Kosovë janë të pasigurta. Ata theksojnë se nuk janë aplikuar kriteret e nevojshme të ndërtimit dhe të mbikëqyrjes, madje nuk janë bërë inspektime nga organet kompetente as për ndërtesat ekzistuese.