Një insekt rrezikon mbi 20 hektarë pyje të Deçanit

Një insekt i quajtur thaumetopoea pityocampa, apo teja procesionore, ka kohë që është shfaqur në pyjet e fshatit Baballoq të Komunës së Deçanit. Autoritetet komunale kanë ngritur shqetësimet e tyre për shkak se ky insekt është duke u shtuar në vazhdimësi dhe brenda pak ditëve. Prejse kanë nisur ta përcjellin situatën kanë vërejtur se ka lënë gjurmë të mëdha dëmtimi në pishat e këtij pylli.

Sipas Komunës, teja procesionore e pishës është duke rrezikuar të dëmtojë mbi 20 hektarë pyll të pishës. E jo vetëm kaq. Frika është se ky insekt mund të përhapet edhe në pyjet e tjera në Dukagjin, shkruan sot Koha Ditore.

“Ajo pjesë është e pyllëzuar me pishë, që është sulmuar nga ky insekt, i cili është shfaqur për herë të parë në Afrikë e në Evropë. Është shquar së pari në Spanjë, ku kanë hequr goxha zor me e eliminu. Nga aty është bartur në Ballkan, konkretisht në Shqipëri e nga aty dyshojmë se është transportuar në Kosovë. Dhe në Kosovë është shfaqur për herë të parë në pyjet e Dukagjinit, pikërisht në pyjet e Deçanit”, thotë drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Deçan, Rifat Stojkaj, i cili në këtë post ka ardhur para dy muajve. Sipas tij, lokacioni ku është shfaqur ky insekt është “Suka e Baballoqit”, një territor me rreth 20 hektarë pyje shtetërore.

Reklama e sponzorizuar

Dyshohet se ky insekt është në pyjet e Dukagjinit më tepër se një vit, kurse tash qe dy muaj, siç thotë Stojkaj, prejse ka marrë këtë post, kanë filluar të merren seriozisht me këtë rrezik të pyjeve.