Punëtorët e Telekomit e presin Vitin e Ri pa paga

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka folur për sukseset e kompanisë që e udhëheqë.

Madje, Istrefi, ka shkruar edhe për rekordet që Telekomi ka arritur këtë vit, shkruan gazeta inFokus.

Reklama e sponzorizuar

“Telekomi shet mbi 1 milion pako brenda muajit. Telekomi i Kosovës po mbyllë vitin 2019 me një rekord të rri sa i përket shitjes së pakove. Brenda muajit dhjetor janë shitur hiq më pak se 1 milion pako, në të cilat përfshihen minuta dhe sms pa kufi, shumë minuta kombëtarë dhe shumë internet. Ky rekord i ri vjen edhe si rrjedhojë e angazhimit maksimal të të gjithë punonjësve por edhe të një premtimi publik se Telekomi do të rikthehet fuqishëm”, ka shkruar Istrefi.

Bile Istrefi thotë që edhe këtë muaj pati shitje rekorde, shkruan gazeta inFokus.

“Kemi arritur që këtë muaj të kemi shitje rekorde sa i përket pakove tona. Është shumë e qartë se konsumatorët tanë të cilët na kanë qëndruar besnik gjatë gjithë këtyre viteve po blejnë pakot tona për shkak se janë më të mirat në treg”.

Por, pavarësisht krejt këtyre rekordeve që Istrefi thotë se i ka arritur Telekomi i Kosovës këtë vit, në gjendje jo kaq të mirë e kaq optimistë janë punëtorët e kësaj kompanie.

Në fakt, këta ende nuk kanë marrë rrogën e dhjetorit.

Kështu, punonjësit e kësaj kompanie Vitin e Ri, do ta presin me një rekord tjetër, duke mos pasur pagën e fundvitit.