Ka 11 vjet që Feime Bullaku nga Vushtrria është përfituese e asistencës sociale prej 120 eurosh nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Por, një ditë pune si komisionare në ditën e zgjedhjeve më 6 tetor të këtij viti, i kushtoi asaj me largim nga skema sociale, raporton KTV.
Ka edhe rreth 210 familje, të cilave u është ndaluar ndihma sociale në nëntor për shkak se u angazhuan si komisionarë në ditën e zgjedhjeve, ku u paguan vetëm 80 euro.
Për anëtarin e Vetëvendosjes në Komisionin Qendror Zgjedhor, Adnan Rrustemi, është e padrejtë sesi Ministria u ka llogaritur si pagë mëditjen për angazhim një ditor.
Në anën tjetër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se ndihma sociale këtyre familjeve do t’u vazhdohet në dhjetor.
“Gjatë muajit nëntor 2019, nga krahasimi i të dhënave në mes të MPSM-së dhe ATK-së ka rezultuar se 212 familje, gjegjësisht anëtarët e tyre janë gjetur si tatimpagues në ATK, me të hyra nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për muajin tetor 2019 dhe në të njëjtën kohë kanë qenë shfrytëzues të ndihmës sociale për muajin tetor 2019. Pasi që të hyrat nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë qenë të njëhershme, për të mos iu nënshtruar procedurave të kthimit të mjeteve pa bazë ligjore dhe procedimit të rasteve në gjykata, Divizioni i Ndihmave Sociale, këto familje i ka larguar nga lista e shfrytëzueseve për muajin nëntor 2019, ndërsa në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale këto familje do të riaktivizohen në ndihmë sociale për muajin dhjetor 2019”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Skema e Ndihmës Sociale në Kosovë rregullohet me Ligjin për Skemën e Ndihmës Sociale.
Neni 5 i Ligjit përcakton kriteret për përfitim të asistencës sociale dhe një nga kriteret kryesore është se përfituesit nuk duhet të jenë paralelisht në marrëdhënie pune.