Rritja e çmimit të sigurimit të automjeteve ka rënduar shportën e konsumatorëve

Rritja e çmimeve të sigurimit të automjeteve ka ndikuar që shporta e konsumatorit të rëndohet për 0.1 për qind gjatë muajit nëntor krahasuar me muajin paraprak. Kjo ka ndikuar që çmimet e konsumit të ngrihen për 0.2 për qind.

Rritja më madhe e çmimeve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë muajit nëntor pati rritje të çmimeve për produktet bazike, siç janë qumështi, djathi, vezët, pemët dhe perimet. Për këto produkte qytetarët kanë paguar për nga 2.2 deri në 3 për qind më shumë sesa muajin paraprak.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, të publikuara të mërkurën, kjo rritje kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të qumështit, djathit dhe vezëve me 2.2 për qind, perimeve me 3 për qind, sigurimet me 19.5 për qind, ku në këtë pjesë përfshihet edhe rritja e çmimeve të sigurimit të automjeteve prej 26 për qind.