Disa muaj pasi Kosova pati shpallur pavarësinë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ka trajtuar një padi kundër shtetit të Serbisë.
Serbia ishte trajtuar si palë për pronësi në tokën që gjendet në territorin e Kosovës dhe atë në vitin 2008.
Paditësi, siç ka mësuar “Koha”, është një serb që jeton në Bosnjë.
Megjithatë, Kosova, nga ky proces, ka humbur rreth 2 hektarë tokë, vlera e së cilës është rreth 5 milionë euro.
Për pronën milionëshe që gjendet në Zonën Industriale në Prishtinë, Millosh Zhivkoviq nga Bosnja, e ka paditur shtetin e Serbisë, në atë kohë në Gjykatën Themelore të Qarkut në Prishtinë.
Zhivkoviq, serb që jeton në Bosnjë, sipas dokumenteve ekskluzive që ka siguruar grupi “Koha”, pretendon se shteti i Serbisë ua ka marrë paraardhësve tij këtë pronë gati 80 vjet më parë.
E njëjta, në vitin 1928, i është dhënë një familjeje serbe për shfrytëzim, me qëllim të popullimit me serbë.
Megjithatë, për arsye të mosshfrytëzimit nga kjo familje serbe, para rreth gjashtë dekadash, me vendim të ish-Republikës së Jugosllavisë, kishte kaluar në pronë shoqërore.
Ndërmarrja Shoqërore “Shipad Comerc” ka qenë shfrytëzuese e kësaj prone deri në periudhën e luftës, derisa pas saj, të gjitha këto ndërmarrje kanë kaluar nën mbikëqyrjen e AKP-së.
Megjithatë, Gjykata e Qarkut, në vitin 2008, nuk e ka ftuar fare në gjykim AKP-në, e cila është përgjegjëse e pronave shoqërore.
Pa dijeni të AKP-së, aktgjykimi i 9 shtatorit 2008, tregon se si gjyqtarja e Kosovës kishte marrë këtë rast, ku e kishte ftuar si palë edhe përfaqësuesin e shtetit të Serbisë, një përfaqësues të “Shipad Comerc-it” nga Beogradi dhe përfaqësuesin e paditësit Milosh Zhikoviq.
Por, meqenëse asnjëri nga ta nuk ishte paraqitur në seancë, toka i kishte kaluar në pronësi paditësit.
“Republika e Serbisë dhe Ndërmarrja për Tregti dhe Shërbime “Shipad – Komerc” në Beograd, janë të obliguar që t’ia pranojnë pronësinë dhe t’ia dorëzojnë paditëses patundshmërinë në afat prej 15 ditësh nga data e pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Qarkut, të cilin e ka siguruar “Koha”.
“Vërtetohet se paditësja Zagroka Zhivkoviq nga Leskovci, pronare e një pjese të PK nr. 1500/4, me sipërfaqe 2.000,00 Ha, arë e klasit të tretë, në vendin e quajtur “Jagnello”, e regjistruar në parcelën me numë 8656 në Prishtinë, me përmasa e kufizuar nga juglindja deri te PK 1500/5 në tërë gjatësinë prej 124,5 m, nga jug-perëndimi me PK 1521 në gjatësinë 160.64m dhe nga ana veri-lindje, e kufizuar me parcelën nr. 1500/3 në gjatësi 160.64m deri te parcela mbetur me nr. 1500/4 në gjatësinë 124.5m që të paditurit: Republika e Serbisë dhe Ndërmarrja për Tregti dhe Shërbime ‘Shipad – Komerc’ në Beograd, janë të obliguar që t’ia pranojnë pronësinë dhe t’ia dorëzojnë paditëses patundshmërinë në afat prej 15 ditësh nga data e pranimit të këtij vendimi”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut.
Një aktgjykim pothuajse identik si të Gjykatës se Qarkut, në vitin 2004, e kishte marrë edhe Gjykata Paralele Serbe, duke ia pranuar pronësinë paditëses Zagroka Zhivkoviq.
Por, Zhikoviqi pastaj e kishte ndërruar pronarin në Komunën e Prishtinës dhe nga prona shoqërore që ishte në administrim të shtetit të Kosovës, atë ia kishte kaluar në pronësi djalit të saj, Millosh Zhikoviqit.
“Koha Ditore” i ka drejtuar pyetje Komunës së Prishtinës për këtë çështje tash e 3 javë, por ata nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se informata të tilla u jepen vetëm pronarëve dhe personave të autorizuar.
Megjithatë, ndërrimi i pronësisë është konfirmuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
“Njësia kadastrale 1500-4 me sip.25000m2, ZK Prishtinë në pronësi të P.SH. SHIPAD KOMERC në muajin Gusht të vitit 2014 është ndarë në 1500-10 me sip.20000m2 dhe 1500-11 me sip.5000m2. Mandej në muajin Tetor 2014 njësia 1500-10 është bartur në pronësi të ZHIVKOVIQ MILOSH bazuar në AKTGJYKIM I GJYK.C.NR.2023/07 DT.09.09.2008 AKTV.AC-II-14-0010,19.06.2014 DHOMA E POSAÇME E GJYK SUPREME”, thuhet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Nga 20 nëntori, “Koha Ditore” i ka drejtuar pyetje Gjykatës Themelore në Prishtinë, por ky institucion ka refuzuar të përgjigjet. Përgjigje nuk ka kthyer as Agjencioni Kosovar i Privatizimit.
Në këtë pronë, aktualisht, janë të vendosura disa biznese kosovare. Një pjesë e kësaj prone, siç ka mësuar “Koha”, i është shitur një biznesi, ndërsa pjesa tjetër e pronës është duke u shfrytëzuar.
Vlera e një ari në këtë zonë, sipas disa bizneseve të cilat i ka pyetur “Koha”, sillet në mes të 25-30 mijë euro.