Fiks 21 mijë e 510 euro janë shpenzuar nga Telekomi i Kosovës vetëm për festimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovë këtë vit. Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë festuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës në shtatë regjione, ndërsa festa është paguar nga Telekomi i Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka siguruar dokumentet lidhur me shpenzimet e festës ‘luksoze’ të Telekomit të Kosovës, e cila është mbajtur në shtatë regjionet e Kosovës. Vetëm në regjionin e Prishtinës, festa e punëtorëve të Telekomit të Kosovës, ka kushtuar mbi 11 mijë euro.
Në Mitrovicë për këtë festë janë shpenzuar mbi 2 mijë e 200 euro, në Pejë mbi 2 mijë e 600 euro, në Ferizaj mbi 2 mijë euro, në Prizren më pak se 2 mijë euro, në Gjakovë mbi 1 mijë e 400 euro, dhe në Gjilan 1 mijë e 200 euro.
Gazeta Sinjali ka siguruar kërkesën që Lahmi Balaj, kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, i ka bërë drejtorit ekzekutiv të kësaj ndërmarrje Bedri Istrefit, i cili më pas ka pranuar kërkesën e tij.
Në kërkesë kërkohen vetëm mbulimet e shpenzimeve, për shkak se me çështje tjera do të merret sindikata.
Balaj është përkujdesur që Istrefi të mos hidhërohet me përzgjedhjen e restoranteve për të festuar, duke i kërkuar që për këtë çështje mund të caktoj personat që ai dëshiron.
“FSP-PTK, për nder të festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 shkurt organizon manifestim për punëtorët e Telekomit”.
“Kërkoi nga ana juaj që t’i mbuloni shpenzimet e këtij manifestimi pasi që ne si Sindikatë nuk kemi mundësi financiare që t’i mbulojmë shpenzimet për të gjithë punëtorët”.
“FSP-PTK do të merr në përgjegjësi organizimin në të gjitha regjionet, ndërsa oferta e restoranteve do të merren së bashku nga ana jonë dhe personave që ju do t’i caktoni në komision”, thuhet në kërkesën e Balajt që ka siguruar Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka publikuar javën e kaluar shpenzimet të tjera të Telekomit të Kosovës për festën e fundvitit që ishte mbajtur vitin e kaluar. 10 mijë euro ishte paguar vetëm për atë ndejë të Telekomit të Kosovës, ndërkohë që në ndejën e javës së kaluar të Telekomit të Kosovës kishte pasur një përleshje, ku zv/drejtori i Departamentit të Shaban Ramaj, kishte mbetur i plagosur.
Po ashtu Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht edhe për shpenzimet e Bedri Istrefit dhe drejtorit të Teknikës në udhëtimin e tyre zyrtar në Turqi, ku vetëm për akomodim në hotelin me pesë yje për dy net, ishin shpenzuar 800 euro.
Po ashtu kunata e Ramush Haradinajt, Vasmira, vetëm për një drekë zyrtare ku ishte konsumuar edhe oktapod, ndërsa faktuar e paguar nga buxheti kishte qenë mbi 300 euro.