Tre milionë e gjysmë për ndërtesën që s’po kryhet tash 7 vjet

3 nivele të larta të studimeve ndjekin ligjëratat në këto objekte të vjetra.

2200 studentë në nivelin Bachelor, Master e Doktoratë.

Ata nisin e thuajse përfundojnë studimet me shpresën se do të ndjekin ndonjë ligjëratë në amfiteatrin apo sallat e reja të fakultetit te tyre të premtuar tash e një dekadë.

Reklama e sponzorizuar

3.5 milionë euro ka shpenzuar deri më tani Universiteti i Prishtinë, në përpjekjen e tij për ndërtimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Por punimet, edhe pas gati 7 vjetësh, janë duke vazhduar, raporton magazina Cosmo në KTV.

Dekanati i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka refuzuar të flasë për vonesat e bëra me vite të tëra në këtë ndërtesë.

Por, vitin e kaluar, studentët e këtij fakultetit kishin protestuar duke kërkuar përfundimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë, me kërkesën që objekti të bëhej i gatshëm për tetorin e 2018-s.

Por edhe tetori i 2020-s është në pikëpyetje.

Për këtë, studentët e këtij fakulteti dhe organizata studentore Reforma, atë kohë me një aksion simbolik, para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, kërkuan transparencë, pasi dyshoni se qëllimshëm objekti po prolongohej.

Studentët dyshonin se rektorati dhe institucionet e vendit e kishin ndërprerë ndërtimin e objektit të ri të këtij fakulteti, thjesht për çështje biznesi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte zhvilluar një hetim për këtë çështje, gjë që, sipas Visar Kelmendit, vetëm e ka prolonguar punën e tyre.

Por pakkush flet për hetimet e bëra në këtë objekt dhe mënyrën e dhënies së tenderit.

Të vetmet informacione të dala nga Rektorati, janë ato për datat nëpër të cilat ka kaluar ecuria e dhënies së këtij tenderi, e gjithçka kishte ndodhur brenda një periudhe 2-mujore.

Më 13 maj të 2013-s ishte bërë hapja e tenderit e vlerësimi i tij më 24 maj.

Ndërsa ishin marrë tri ankesa nga kompanitë kundërshtare, nga 3 qershori deri më 14 qershor, OSHP-ja kishte arritur t’u japë rrugë ankesave të operatorëve ekonomikë.

Derisa kontrata, përfundimisht, ishte nënshkruar më 4 korrik.

Për vonesat ka heshtur edhe Ministria e Arsimit.

Në fakt, ndërtimi i këtij objekti mbi 9 mijë metra katrorë, kishte nisur në kohën kur me këtë ministri udhëhiqte Ramë Buja.

Në atë kohë, ish-ministri Buja pati theksuar se perspektiva të një shteti janë bujqësia dhe veterinaria. “Që të kemi perspektivë më të mirë duhet që edhe kushtet ku mësojnë studentet të jenë më të mira”, pati thënë ai.

Rektorati flet vetëm për 3 vitet e fundit

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, nuk duan të flasin për vitet e humbura në ndërtimin e këtij objekti. E, në fakt, janë plot 3 vite.

Prorektorja për Financa, Myrvete Badivuku-Pantina, ka theksuar se që nga viti 2016, punët kanë nisur të lëvizin dhe ajo flet vetëm për vitet kur ka filluar të menaxhojë financat e UP-së.

Ajo ka pranuar se ka pasur vonesa të mëdha, por ka shtuar se nuk i di arsyet.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me ish-prorektorin e kaluar për Financa në UP, Arsim Pajaziti, por ai nuk ka dashur të flasë për çështjen në fjalë, me pretendimin se ka kaluar kohë e gjatë dhe tashmë ka harruar se çfarë kishte ndodhur me atë objekt..

Sidoqoftë, Badivuku-Pantina ka sqaruar në detaje punimet që po kryhen.

Ndërtuesi i objektit, nipi i Adem Grabovcit

50 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje janë në pronësi të Valon Grabovcit, nipit të Adem Grabovcit.

Në fakt, kompania ndërtuese, bazuar në të dhënat e ARBK-së, është regjistruar një vit pasi kishte filluar ndërtimi i Fakultetit të Bujqësisë.

Sipas këtyre të dhënave, fillimisht ka qenë ndërmarrja ENEX-Trade BI, në pronësi të Visar Kelmendit, e cila ka fituar tenderin nga Universiteti i Prishtinës, për ndërtimin e këtij fakulteti, por i njëjti biznes është shuar në majin e 2014-s, duke kaluar në ENEX-Trade SHPK, e cila vetëm 6 ditë më vonë u regjistrua si biznes.

Por, tash, me bashkëpronësi të barabartë me Valon Grabovcin.

I kontaktuar nga KTV-ja, Grabovci ka refuzuar tëë flas për Fakultetin e Bujqësisë dhe për biznesin. Tutje, ai ka referuar që për të gjitha të pyetet partneri i tij, Visar Kelmendi.

Ndërsa Kelmendi ka mohuar çfarëdo ndihme nga politika në lidhje me marrjen e tenderit për ndërtimin e këtij objekti, i cili ka nisur së ndërtuari 6 vjet më parë.

Valon Grabovci ishte kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, në zgjedhjet e 6 tetorit, por nuk ka fituar votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit.

Ndryshe, Grabovci, aktualisht, ka tre biznese te hapura, veprimtaria e të cilave është e njëjtë, pra sektori i ndërtimtarisë.

3 N Construction SH.P.K., që po ashtu është firmë ndërtimore. Këtu, Valon Grabovci ka bashkëpronësi me djemtë e axhës së tij, Adem Grabovci, Guxim e Ngadhnjim Grabovci.

Biznesin e fundit të hapur në 2018, ish-kandidati i PDK-së e ka emërtuar Zenith Group SHPK, pronësinë e së cilës e ka ndarë me bashkëshorten e tij, Mërgime Grabovci.

Sidoqoftë, në korrikun e 2013-s ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e këtij objekti, e Visar Kelmendi thotë se vonesat janë bërë për shkak të problemeve që kanë dalë nga lokacioni i cili ka qenë i stërmbushur me ujë.

Në tre vitet e para u kryen vetëm punët e vrazhda, derisa punë-kryerësi ankohet në atë se universiteti ia vonoi paratë, në periudhën 2016-2017, për çka ai është obliguar të paguajë nga kuleta e tij.

Por, një gjë e tillë është kundërshtuar nga Prorektorja për Financa.
Arkitektura dhe ndërtimi….

9 mijë metra katrorë tashmë janë duke u ndërtuar dhe objekti pothuajse ka marrë formë, ani pse kanë kaluar katër vjet që nga dita kur është dashur të nisë mësimi aty.

Dukagjin Hasimja është njëri ndër 5 mbikëqyrësit e objektit dhe ai ka rrëfyer për Kohavisionin punët që po kryhen aty.

Por, Hasimja ka shpjeguar edhe vonesat, duke e pasur të paqartë edhe vetë faktin që me ditë të tëra kanë pritur punëtorët për t’i kryer punët për të cilat ishin paguar.

Ai thotë se shpesh është përballur me faktin që punëtorët punonin edhe diku tjetër në kohën kur do të duheshin të kryhen punët aty.

Premtime të reja për një tetor me studentë në këtë objekt, ka dhënë punë-kryerësi, megjithëse, sipas tij, mbetet i pazgjidhur problemi me transmisionin e lartë që kalon në oborrin e këtij fakulteti.

Universiteti e ka menduar edhe punën e penalizmit të punë-kryerësit, por realisht nuk e ka praktikuar asnjëherë, edhe pse vonesat tash kanë hyrë në vitin e katër.