Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dje ka publikuar rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin referues 2018, e cila paraqet disa nga treguesit ekonomikë sipas strukturës së veprimtarive ekonomike.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se sipas sektorëve ekonomikë, numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me 16 mijë e 143 ndërmarrje, ose shprehur në përqindje 45.4%.
Ndërsa sektorët ekonomikë të tjerë si: shërbimet biznesore dhe shërbimet e tjera me 5 mijë e 250 ndërmarrje, ose 14.8%; industria përpunuese (prodhimit) me 4 mijë e 930 ndërmarrje, ose 13.9%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 3 mijë e 683 ndërmarrje, ose 10.4%; ndërtimtaria me 2 mijë e 849 ndërmarrje, ose 8.0%; transporti dhe magazinimi me 1 mijë e 351 ndërmarrje, ose 3.8%; informacioni dhe komunikimi me 982 ndërmarrje, ose 2.8%; xehetaria dhe gurëthyesit me 161 ndërmarrje, ose 0.5%; furnizimi me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete revitalizimi të tokës me nga 126 ndërmarrje, ose 0.4%; si dhe, furnizimi me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 65 ndërmarrje, ose 0.2%.
Ndërkohë, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, numri total i të punësuarve arrin shifrën e 177 mijë e 852 të të punësuarve, prej të cilëve sektori i tregtisë përbën rreth 60 mijë e 349 të punësuar, ose shprehur në përqindje 33.9%; industria përpunuese (prodhimi) 27 mijë e 125 të punësuar, ose 15.3%; shërbimet biznesore 22 mijë të punësuar, ose 12.4%; ndërtimtaria me 20 mijë e 533 të punësuar, ose 11.5%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 13 mijë e 955 të punësuar, ose 7.8%; informacioni dhe komunikimi 10 mijë e 603 të punësuar, ose 6.0%; si dhe, sektorët e tjerë kanë më pak të punësuar, me një përqindje prej 5%.
Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, ku dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 54.6%, ndërtimtaria me 11.6%, industria përpunuese (prodhimi) me 11.5%, furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 6.4%, aktivitetet e shërbimeve të tjera me 5.1%, kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.
Kurse, sa i përket treguesit të pagës mesatare mujore bruto, ajo sillet rreth 378 euro në aktivitetet e përfshira në këtë anketë të ndërmarrjeve. /Buletini Ekonomik/