Ushtarët e Kosovës problem me transport

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po kanë telashe me udhëtim. Pjesëtarët e  rinj të FSK-së po kanë vështirësi në udhëtimin e tyre në linja më të gjata për rreth Kosovës për të shkuar në vendin e tyre të punës. Në Ministrinë Mbrojtjes kanë pranuar se nuk kanë kapacitete për sigurim të të gjithë ushtarëve.

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2018, ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Reklama e sponzorizuar

Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Aktualisht FSK është duke kaluar fazën e tranzicionit të saj. Ndryshimin e disa strukturave si dhe shtimin e pjesëtarëve të saj.

Vetëm këtë vit, FSK ka pranuar rreth 700 rekrut të rinj. Ushtarët e rinj të Kosovës kanë filluar detyrën e tyre pas trajnimeve bazike.

Ndonëse sipas nenit 15 të pikës 2, për sigurimin e transportit, FSK në këtë pikë ka hasur në vështirëve me shtimin e numrit të rinj të rekrutëve.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se pjesëtarëve të rinj të FSK-së po u vështirësohet udhëtimi i tyre në linja më të gjata për rreth Kosovës për të shkuar në vendin e tyre të punës.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë pranuar se me rekrutimet e fundit është rritur numri i ushtarëve dhe se për këtë rritje momentalisht, FSK nuk ka kapacitete për sigurim të të gjithë ushtarëve.

Po ashtu nga kjo ministri për FaktePlus kanë thënë se janë duke punuar që tu sigurohet transporti të gjithë pjesëtarëve të saj.

“FSK është ushtri profesionale dhe vullnetare. Transporti i ushtarëve për ardhje në punë është çështje personale e çdo individi.  Për të pasur  ardhje sa më të lehtë dhe të organizuar, FSK  ka organizuar transportin për ushtarët e vet në linjat më të gjata. Me rekrutimet e fundit është rritur numri i ushtarëve dhe nuk ka kapacitete momentale për transportin e të gjithë ushtarëve. FSK është në procedurë që të sigurojë dhe ofrojë këtë shërbim për të gjithë ushtarët e vet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus.

Ndryshe, Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota. Kështu, të paktën parashihet me fillimin e transformimit të saj përmes tri ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. /FaktePlus/