Rreth 20 mijë euro është vlera e mëditjeve ose parave të xhepit që kanë shpenzuar zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës gjatë vitit 2019.
Në rreth 40 udhëtime zyrtare sa kanë realizuar zyrtarët e kësaj agjencie, organizatorët dhe donatorët kanë paguar të gjitha shpenzimet e udhëtimeve përfshirë koston e udhëtimit dhe të akomodimit, shkruan Koha Ditore. Pra, vetëm për mëditje rreth 35 zyrtarë, që sipas Agjencisë kanë marrë pjesë në këto udhëtime, kanë marrë mesatarisht 570 euro gjatë vitit.
“Vlera totale e shpenzimeve e këtyre udhëtimeve është rreth 20 mijë euro. Në shumicën e udhëtimeve organizatorët dhe donatorët kanë paguar të gjitha shpenzimet e udhëtimeve përfshirë koston e udhëtimit dhe të akomodimit. Zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kanë përfituar vetëm mëditje (20 për qind) sipas Udhëzimit Administrativ për udhëtime zyrtare jashtë vendit”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë.
Sipas të dhënave që i janë prezantuar gazetës, stafi i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës gjatë vitit 2019 ka realizuar rreth 40 udhëtime zyrtare jashtë vendit. Në shumicën e udhëtimeve zyrtare thuhet se kanë marrë pjesë nga një deri në 2 zyrtarë, siç thuhet në përgjigje me përjashtim të vizitave studimore ku numri i pjesëmarrjeve ka qenë më i madh.
“Në total gjatë vitit 2019, gjatë këtyre udhëtimeve zyrtare, kanë marrë pjesë 35 zyrtarë nga gjithsej 112 zyrtarë sa ka Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit e Kosovës. Disa nga zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit e Kosovës kanë qenë pjesëmarrës në më shume se 1 vizitë jashtë vendit”, thuhet në përgjigjet e kësaj agjencie.